Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po mbron Erygs Agasin në përballjen e tij me drejtësinë. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se me urdhër të Ramës, Agasit po i zbuten akuzat.
“Ajo që është jashtëzakonisht e rëndë, ajo që fakton dorën e zezë të Edi Ramës, është çlirimi i tij nga akuza e pengmarrjes. Dhe ky është një akt shumë i rëndë. Ergys Agasi ëshutë personi i implikuar direkt në organizimin e dy pengmarrjeve. Edi Rama ka urdhëruar që të hiqet termi pengmarrje dhe të quhet heqje lirie. Janë dy kategori, të cilat kanë vepra penale me dallim të madh në penalitete. Në mënyrë qesharake, akuzohet për pabarazi në tendera një njeri që zyrtarisht me ligj, me rregullore nuk ka pasur autoritet për të zhvilluar asnjë tender. Por përkundrazi, ka përdorur dhunën, forcën për të diktuar për shumë e shumë tendera”, tha Berisha.
Kreu i PD komentoi edhe dërgimin e Ergys Agasit në paraburgimin e Bradasheshit, pasi u la në qeli një ditë më parë nga trupa gjykuese.
“Tani e marrin dhe e çojnë në burgun e Bradasheshit. Hajde tani, më thoni ju mua, se a është e negociuar kjo apo jo? E çojnë në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela. Sepse thuhet se muajin e fundit Troplinët e përzunë, i hoqën mbrojtjen. Pra më thoni mua se, çfarë janë këto? Në vend se të shkojë në qelitë e sigurisë më të lartë, e izolimit më të thellë, shkon tek Taulant Balla dhe Sara Mila. Ata e kanë burgun si repart të tyre, si seksion të PS. Pra, të gjitha këto lënë shumë për të dyshuar”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te vendimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, për të shkarkuar Anuela Ristanin. Lideri demokrat e komentoi këtë lëvizje si një sulm të hapur të Veliajt ndaj Edi Ramës.
“Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon që Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani të ja heqin edhe patkojtë. Nëse qytetarët e kanë konstatuar e kanë ndjekur, ai është një person në rrethim që për të mbrojtur shkon nga një vilë qeveritare te një vilë tjetër qeveritare. Njofton ndryshime por nuk bën dot asnjë ndryshim. Pra është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij. Nuk mohohet se gjykata kushtetuese, vlerësoi si antikushtetues procedurën e shkarkimit nga Edi Rama nëpërmjet Këshillit Bashkiak socialist të tij, por momenti që u zgjodh nga Veliaj për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare dëshmon dobësinë e Edi Ramës. Është një betejë mes tyre, por viktimë janë qytetarët e Tiranës. Sa më shumë t’i nxjerrin sytë njeri tjetrit aq më shumë e meritojnë”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike konfirmoi edhe vizitën që pritet të ketë në 9 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.





