PD padi në SPAK për koncesionin e hidrokarbureve: Marrëveshje të ndyra e korruptive

Partia Demokratike dorëzoi në SPAK një padi për koncesionin e hidrokarbureve. Përfaqësuesit e PD, Agron Shehaj dhe Çlirim Gjata deklaruan se qeveria “Rama” ka kryer të paktën tri vepra penale me këtë koncesion.
Ata denoncuan se po u vidhen qytetarëve 100 milionë euro në mënyrë të fshehtë. Sipas demokratëve, kjo është një sjellje e kryeministrit Edi Rama në ditët e fundit të pushtetit.
“Në ditët e fundit të pushtetit, Edi Rama ka vendosur të japë një koncesion të fshehtë, në fushën e karburanteve, i cili do t’u kushtojë shqiptarëve 100 milionë euro. Pa asnjë studim, pa transparencë, gjithçka në errësirë dhe me nxitim, qeveria ka paracaktuar që tre klientë të saj të gjurmojnë transaksionet financiare në fushën e hidrokarburëve. Ky vendim, në fushatë zgjedhore shkel rregullat e zgjedhjeve, mbyll tregun në tre duar dhe, mbi të gjitha, fut duart në xhepat e qytetarëve, duke e bërë karburantin akoma më të shtrenjtë. Pazari që Edi Rama ka bërë me 3 klientët e tij pak përara largimit nga qeveria duhet të hetohet nga SPAK. Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një aferë e rëndë korruptive, e cila, nëse hetohet siç duhet, do ta çojë drejtësinë tek Edi Rama. Rama po bën marrëveshje të ndyra dhe të korruptuara që do të rrisin çmimet e karburantit në Shqipëri, në mënyrë që miqtë e Ramës të bëjnë miliona në kurriz tonë. Asnjë tjetër, përvec Edi Ramës, nuk ka pushtetin që të vendosë për dhënien e 100 milionë eurove në vetëm 3 duar, të cilat, mund të rezultojnë edhe një dorë e vetme. Ky vendim i pistë i Edi Ramës, që dënon shqiptarët me një vjedhje të re dhe me rritjen e çmimit të karburantit nuk do të njihet nga Partia Demokratike.”




