Lideri i opozitës Lulzim Basha ka vendosur të udhëheqë Partinë Demokratike me një ekip të ri në këtë mandat të tretë.

 

Kryesia e PD ka çelur këtë të premte procesin e analizës së humbjes së zgjedhjeve, e pas këtij momenti statuti i PD do të ndryshojë dhe e gjithë piramida drejtuese do t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve.

 

LULZIM BASHA
KRYETAR I PD

“Çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës. Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje.”

 

Basha ka skicuar rrugën ku do të ecë PD, duke premtuar hapje të partisë e betejë në Parlament.

 

“Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, çdo ditë që nuk përdoret për përsosjen e PD, është një ditë pushtetit që i dhurojmë armikut të demokracisë.”

 

Sipas vendimeve të miratuara në kryesi analiza për rezultatin e PD në zgjedhjet e 25 prillit nis nga sot dhe përfundon në 1 shtator. Në lidhje me ndryshimet në Statut, kryesia ngriti një komision me 9 anëtarë i cili do të vlerësojë se ku do të ndërhyhet në dokumenti bazë të partisë e çfarë mund të përmirësohet. Ndryshimet statutore u mbështetën edhe nga rivali i Bashës Fatbardh Kadilli, i cili gjatë garës në PD ka prezantuar idetë e tij për këtë çështje

 

FATBARDH KADILLI

KANDIDAT PER KRYETAR, PD

“Thelbi i propozimeve të mia, që një pjesë reflektohen në statut janë të qarta, demokratizim më i thellë i partisë, shpërthim i skemës së ngushtë që kemi për seksionet dhe mënyrën si funksionon struktura e partisë, duke krijuar hapësirë për çdo iniciativë politike, rishikimi i raporteve me organizata partnere dhe përcaktimin e kauzave kryesore, rishikimi Kodit Zgjedhor, i Kushtetutës dhe Reforma në Drejtësi.”

 

Ndërsa në 17 korrik nis procesi zgjedhor kur organi më i lartë i PD, kuvendi kombëtar zgjedh këshillin. Më pas këshilli zgjedh kryesinë, sekretariatin e dy nënkryetarët.

 

Të gjitha këto organe nuk e kanë përfunduar mandatin e tyre 4-vjeçar, por pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, Basha ka vendosur të reformojë partinë duke nisur nga statute deri tek ekipi drejtues.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *