Partia Demokratike ka vënë nën monitorim administratën për shkak të frikës se punonjës të saj mund të manipulohen apo vihen nën presion nga PS për të votuar për të në zgjedhje.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaroi se ky vendim është marrë pasi është parë se në administratë po shpërndahet një formular ku punonjësve u kërkohet angazhim elektoral në favor të socialistëve.

 

Sipas PD, punonjësit duhet të plotësojnë në formular të dhënat e tyre dhe të angazhohen se do të sjellin njerëz për të votuar për PS. Në rast të kundërt, ata pushohen nga puna. Bardhi paralajmëroi se kushdo që bën presion do të ndiqet penalisht. Dy janë kërkesat e Bardhit për degët e PD:

 

 

  1. Të identifikojnë të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore që kanë shpërndarë një Formular të tillë apo që shantazhojnë punonjësit e tyre për qëllime politike/elektorale, si dhe të dokumentohen veprimet e paligjshme të çdo punonjësi të administratës shtetërore që angazhohet në veprimtari politike me qëllim elektoral. Për secilin prej tyre të dhënat të përcillen në Shtabin Qendror në PDSH për efekt dokumentimi dhe për përgatitjen e kallëzimeve penale në prokurori.

 

  1. Të garantohen të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *