PD: Ministrja Spiropali është pasuruar nga fondet publike
Partia Demokratike ka hedhur akuza në drejtim të Ministres Elisa Spiropali se është pasuruar në mënyrë korruptive nepermjet fondeve publike.
Në një dalje për mediat, deputetja e PD, Jorida Tabaku dhe drejtuesja e departamentit antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku deklaruan se Spiropali ka rritur pasurinë ndjëshëm që prej ardhjes së PS në qeveri.
“Historia e Kompanisë SLM që i përket familjes Spiropali është simbol sesi qeveria vjedh paranë publike dhe taksat e shqiptarëve. Kjo kompani është krijuar në 9 shtator në të njëjtën ditë që u krijua qeveria rama. Dokumentet zyrtare konfirmojnë se Enkli Spiropali vëllai i zëdhënëses së qeverisë që në atë kohë po merrte emërimin si drejtoreshë e doganave krijoi një kompani që e quajti SLM me qendër në Fier dhe me kapital 1 mln lekë të vjetra. Brenda pak muajve kompania e sapokrijuar fitoi tenderin e parë në 27 mars 2014. Bamirësi ishte kunati i tij, bashkëshorti i Elisa Spiropalit. Për të fshehur gjurmët e konfliktit të interesit dhe të ndonjë vepre tjetër penale vëllai i saj e shiti kompaninë me letra në 8 prill 2014. Kompania u shit brenda familjes, tek kushëriri i bashkëshortit. Vlera e shitjes ishte 1 mln lekë, megjithëse kompania fitoi një tender prej 6 mln lekësh. Me këtë skemë duke u fshehur pas kushëririt të familjes, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë familjes së tij 350 mln lekë”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate i bëri thirrje Inspektoriatit të Pasurisë që të nisë hetim pasuror ndaj Spiropalit.




