Subscribe

Për Partinë Demokratike, shkarkimi i kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla duhet të ishte i menjëhershëm pas publikimit të videos ku ai pi drogë në një lokal.

 

Ish-deputeti Gent Strazimiri, në një deklaratë për mediat, shkoi më tej duke kërkuar edhe arrestimin e Allës. Por ai shtoi se diçka e tillë zor se ndodh sepse drejtësia është e kapur nga Edi Rama.

 

“Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës duhej të ishte shkarkuar sot nga Edi Rama. Asnjëra nuk ka ndodhur sepse Edi Rama i Bulqizës ka mbrojtjen e Edi Ramës së Tiranës. Kandidimi në 30 Qershor i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar është strategjia e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin. Edi Rama i Bulqizës nuk është arrestuar ende, sepse Edi Rama i Tiranës e ka kapur drejtësinë.”

 

Gent Strazimiri bëri thirrje që qeverisja nga banditët, siç i quan ai, të marrë fund dhe të largohet Edi Rama.

 

“Kura e vetme është ndarja e politikës nga krimi! Shqiptarët kanë të drejtë të mos qeverisen nga narkomanë të korruptuar dhe banditë. Largimi i Edi Ramës së Tiranës, i Edi Ramës së Bulqizës edhe i çdo Edi Rame nga zyrat e shtetit është emergjencë kombëtare!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *