PD kërkon Ramën në Komisionin Hetimor për inceneratorët, liston edhe emra te tjerë

Partia Demokratike kërkon të thërrasë në Komisionin Hetimor për inceneratorët, figurat kryesore të qeverisë, duke nisur nga kryeministri Rama, tek numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj.
Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku deklaroi se duhet të dëshmojnë gjithashtu, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj së bashku me krerët e Bashkisë së Elbasanit e Fierit, ish-ministrat Lefter Koka e Damian Gjiknuri, si dhe Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Komisioni Hetimor do të funksionojë deri në janar dhe do të ketë në fokus kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane.
Tre inceneratoret në Tirane, Elbasan e Fier kanë qenë në qendër të aksionit të opozitës, e cila ka depozituar edhe padi në SPAK për këto kontrata.




