Mirela Tabaku, pjesë e grupit të punës të ngritur nga PD për pandeminë akuzon qeverinë se është përgjegjësja e vetme për rritjen e numrit të të prekurve me COVID
Në një konferencë për mediat, Tabaku u shpreh se kthimi i shërbimeve spitalore në burim infektimi mbarëkombëtar është tregues i keqmenaxhimit të situatës.
Sipas saj, dështimi për të mbajtur nën kontroll situatën në spitale ka pasoja direkte për shëndetin e qytetarëve.
“• Mungesa e detyruar për një kohë të caktuar e personelit të infektuar do të reflektohet në cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Disa shërbime në QSUT mund të mbyllen, që do të thotë se shume prej mjekëve tanë të nderuar të mos ofrojnë dot kujdesin dhe ekspertizën e tyre. • Infektimi i personelit në shërbimet e QSUT-së, për shkak se qeveria nuk ka siguruar masat e duhura mbrojtëse për ta, do të thotë të rëndosh seriozisht gjendjen shëndetësore delikate të pacientëve të shtruar. Është e pafalshme që kjo situatë të ndodhë në QSUT në këtë stad të epidemisë, si nga pikëpamja menaxheriale, ashtu edhe nga ajo shkencore.”
Për Tabakun, nëse do të ishin marrë masat e duhura nga eksperienca e vendeve të tjera, Shqipëria nuk do të paraqitej me një numër kaq të lartë personeli mjekësor të infektuar.
“Nga 100 te prekur nga virusi në qendrat e punës, kryesisht në QSUT, pjesa më e madhe janë infektuar në këto javët e fundit. Ne mendojmë se ka disa arsye përse situata po përkeqësohet dhe përse spitalet janë kthyer në vatrat më të mëdha të infeksionit. Për këtë fajtorë nuk janë qytetarët, siç propagandon kryeministri, por vetë qeveria e tij. • Testimet virologjike te personelit nuk po bëhen ne menyre periodik. • Mjetet mbrojtëse nuk janë në sasinë dhe cilësinë e duhur. • Kontrolli i zbatimit të protokolleve mbrojtëse si për personelin, ashtu edhe për pacientët mungon. • Mungojnë edhe testimet virologjike apo serologjike për pacientët e shtruar. • Sensibilizimi i qytetarëve nuk është bërë siç duhet. • Është injoruar zëri i ekspertëve dhe zëri konstruktiv i opozitës.”
Ajo theksoi se kryeministri Rama nuk duhet të fajësojë qytetarët dhe t’i kërcënojë me kthimin e karantinës, por duhet të heqë dorë nga propaganda me Facebook dhe të gjejë një ministre tjetër që ka “prioritet shëndetin e qytetarëve, jo karrigen e vet, dhe të marrë masa urgjente që spitalet të mos jenë vatra infeksioni për qytetarët.”





