Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, vlerësoi rolin e themeluesve të kësaj force politike, duke theksuar se vendimi i tyre për ta shkëputur partinë nga e shkuara ishte një moment me rëndësi historike për Shqipërinë. Nga Lezha, Rama tha se PS ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimet politike të vendit gjatë tre dekadave e gjysmë.
Rama: Faleminderit të gjithë atyre që në këtë grup që është natyrisht shumë më i vogël se sa PS-ja e Lezhës apo qarkut të Lezhës dhe që i përkasin gjeneratës së parë të Partisë Socialiste, i përkasin atij grupi njerëzish që me kurajo morën vendimin për ta shkëputur PS-në dhe për të shkëputur familjen politike që sot është themeli i PS nga e shkuara dhe për ta kthyer me sytë nga e ardhmja, sepse çdo vit që kalon do ta nënvizoj më fort rolin e tyre në historinë e re politike të Shqipërisë. Rolin e tyre si një rol me një rëndësi vendimtare pasi 35 vjet janë pak për historinë, por janë shumë për të parë dhe për të kuptuar jo vetëm peshën por edhe impaktin që ka pasur PS në jetën e vendit dhe mbi të gjitha për të kuptuar vlerën e shtuar që PS ka sjellë, duke iu qasur në një mënyrë të padiskutueshme, të drejtë, interesit tonë kombëtar, duke iu qasur në një mënyrë të drejtë të shkuarës, duke iu qasur në një mënyrë të drejtë shoqërisë dhe botës.
Kryeministri tha se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar, ndërsa një mesazh e pati edhe për kundërshtarët politikë, të cilët i cilësoi si “humbës kronikë”. Duke sjellë në vëmendje periudhën e luftës në Kosovë, Rama tha se PS ka qenë mbështetësja më e fortë e luftës nacinal çlirimtare, ndërsa akuzoi kundërshtarët për qëndrime të kundërta me interesat kombëtare.
Rama: Vetëm PS që në krye të herës nuk ka lëvizur asnjëherë asnjë milimetër nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar. Për këtë ka plot shembuj që mund të merren, por shembulli më kuptimplotë është shembulli që dallon si ditën me natën PS me kundërshtarët e saj politikë. I dallon si dita me natën sepse siç ka ndodhur në historinë e këtyre 35 viteve vazhdon të ndodhë edhe sot. PS ndodhet përballë një fronti kundërshtarësh që nuk lënë gjë pa thënë për përfaqësuesit e saj. Nuk kanë lënë gjë pa thënë dhe nuk do të lenë gjë pa thënë derisa të jenë ata që janë, humbësit kronikë dhe shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare. E sulmuan PS si parti e lidhur me Serbinë, si parti shërbëtore e Beogradit, por e vërtata tregoi që pikërisht ata që rrihnin gjoksin dhe gjuanin me gurë Ps, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Millosheviçit dhe furniznonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik. PS që në momentin e parë që mori në dorë frenat e vendit, u bë mbështetja më e fortë, mbështetja më e palëkundur dh mbështetja e përhershme deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës.





