Subscribe

Me parulla nëpër duar, qytetarët të cilët janë thirrur në protestë nga Sali Berisha janë grumbulluar para Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit do të shqyrtojë sot rekursin që grupi i Rithemelimit ka depozituar për vendimin e 3 marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë të parë çështjen e logos dhe vulës së Partisë Demokratike. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarët, Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina.

Lexo edhe :

Related Posts

Gjykata e Lartë është blinduar nga policia.

Sakaq, shoferët e automjeteve janë indinjuar për shkak se protestuesit kanë bllokuar rrugën dhe kjo ka sjellë trafik të rënduar në kryeqytet.

Rruga është bllokuar nga protestuesit e Rithemelimit, por në kërkesën që është dorëzuar në Policinë e Tiranës nuk ka qenë e specifikuar.

Sipas burimeve të policisë, protesta do të zhvillohej në hapësirën e trotuarit, rreth parkut Rinia, pa penguar qarkullimin.

Fillimisht është tentuar komunikim me përfaqësuesit e Rithemelimit përmes zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Luigj Vathi, sipas protokollit zyrtar dhe më pas vetë kryepolici Tonin Vocaj.

Deri tani nuk ka dakordësi për hapjen e rrugës për të rikthyer qarkullimin.

Çfarë do të ndodhë sot në Gjykatën e Lartë?

Në dhomë këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit.

Sipas procedurës, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim, pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve.

Të tre mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.

Një tjetër zgjidhje është rrëzimi i Apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të Zhukrit, duke ia kaluar të drejtat Berishës.

Në të dy mundësitë, palët mund të ankimojnë vendimin respektiv në Gjykatën Kushtetuese.

Një zgjidhje e tretë është që nga dhoma e këshillimit çështja të kalojë në seancë me përballje të palëve./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *