Subscribe

Partia Demokratike reagoi pas operacionit “Shpirti”, ku mes të implikuarve në trafikun e drogës dolën edhe dy shoqërues të ish-ministrit Saimir Tahiri.

 

Ky fakt, tha Enkelejd Alibeaj, tregon se PD ka patur të drejtë në çdo denoncim të sajin për lidhjet e Saimir Tahirit dhe qeverisë me krimin e trafikun e drogës. Sipas tij, dy shoqëruesit nuk mund të arrestohen sepse në këtë rast, do të rrezikoheshin Tahiri dhe kryeministri Edi Rama.

 

“Më shumë se 1 mijë e 400 herë Partia Demokratike ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhjet me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. Po kaq herë Saimir Tahiri është mbrojtur nga Edi Rama si “kampion i luftës ndaj krimit”. Koha na dha të drejtë. Sot para syve të shqiptarëve dhe botës mbarë, falë operacionit të Antimafias Italiane, shohim përsëri se pas kushërinjve të Saimir Tahirit, që me bekimin e ministrit dhe me makinën e tij trafikuan miliona euro hashash dhe se milionat eurove përdoreshin për blerjen e zgjedhjeve, radhën për të tronditur opinionin publik e kanë shoqëruesit e Saimir Tahirit. Veprimet e tyre dëshmojnë se si, me urdhër politik, i gjithë shteti ishte vendosur në shërbim të trafikut të drogës, nga mbrojta e parcelave, te ngarkimi i gomoneve deri te fikja e radarëve. Fatkeqësisht, ndryshe nga sa deklaroi policia, shoqëruesit e Tahirit Agustin Deda dhe Hekuran Marku, nuk janë nën arrest. Arsyet për këtë janë të vetëkuptueshme. Arrestimi i tyre ekspozon Tahirin dhe Ramën. Ky mashtrim i kryer për të mbrojtur urdhëruesit e kanabizimit të vendit, nuk është as i pari dhe as nuk do të jetë i fundit.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *