Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka përsëritur qëndrimin e tij se Partia Demokratike duhet të ndahet nga çështja e Berishës, pas shpalljes “non grata” nga SHBA-të.

 

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Kadilli theksoi se Berisha duhet ta ndjekë privatisht çështjen e tij.

 

“Nuk është çështja të distancohet nga lideri historik. Kam kërkuar që ta ndjekë privatisht dhe të shmangë përgjegjësinë e PD të çdo implikimi. Kostot për PD nuk është Berisha. Sot, kosto është ai që mban zyrën e kryetarit, i cili ka gëzuar edhe mbështetjen e Berishës. Nuk ka minimumin e përgjegjshmërisë nga mbajtja peng e PD dhe opozitës.”

 

Por, sipas tij, a duhet të dalë PD kundër Berishës nëse SHBA i kërkon Partisë Demokratike ta largojë liderin e saj historik?

 

“Berisha nuk ka asnjë funksion të përshtatshëm, është deputet sot. Berisha është një njeri që do të jetë në politikë, edhe nëse largohet nga PD. Është memoria e PD. Berishën e njeh gjithë Shqipëria”, u përgjigj Kadilli.

 

Ai u ndal edhe te gara për kyetarin e Partisë Demokratike, të cilën e quan të pabarabartë.

 

Kadilli shprehu vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kësaj gare, ndërsa lëshoi sërish kritika ndaj kryedemokratit Basha.

 

“Kur vendosa të hyj në garë, nuk vendosa nga barazia, por vetëdija e plotë se PD ka nevojë për një rifilim, start të ri, nisur nga situata ku ndodhet; është situata më e vështirë që nga viti 1997.  Nuk është garë mes forcash politike, por projektesh politike. Vendosa të hyj në një garë për një projekt të ri. Jam i vendosur t’i shkoj deri në fund kësaj gare.  Kryetari në detyrë është i favorizuar nga instrumentet e një gare.  Ka ngritur një strukturë dhe ekip që i përgjigjet fushatës për t’u përballur me Ramën dhe sot kjo po përdoret kundër nesh. Më intereson akuza morale, në politikë nuk luhet me vegla, por me moral.  Kam hyrë me bindjen e fortë që do të fitojë në këto zgjedhje. Unë dëshiroj të kem me vete askënd që ka pagesë apo funksion, por vetëm anëtarë të thjeshtë të PD, që do të vuajnë dhunën e Edi Ramës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *