Lulzim Basha e konsideroi një fasadë listën e kandidatëve për deputetë të PS që do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Kryedemokrati u shpreh se listat e Ramës janë mbushur me hajdutë dhe banda të krimit, ndërsa shtoi se problemet e vendit janë thelluar e përkeqësuar nga viti në vit.

“Kudo duket dora e krimit dhe bandave, mjafton të shohim qarkun e Durrësit, kandidatin e Avdyljave, Curben e famshëm të përgjimeve të Bild-it, kandidatin e bandave të tjera të Shijakut dhe të Durrësit, Ndrazhën gojëkyçur dhe natyrisht dhe Rrahman Rrahjen, emër i njohur ndërkombëtarisht për çfarë përfaqëson. Shumë të tjerë janë fshehur pas fytyrave anonime që përfaqësojnë këto klanet kriminale. Kjo është Shqipëria e së ardhmes? 8 vjet në pushtet kjo ka qenë oferta e Edi Ramës. Pas 8 vitesh e vetmja gjë që ofron është një fasadë, një çarçaf i arnuar poshtë të cilit gëlojnë bandat me shpresën se kështu do i hedhin hi syve atyre që duan ndryshimin”, deklaroi kreu i PD.

Kreu i PD-së theksoi se nëse nuk i realizon angazhimet e marra, nuk do të kërkojë mandat të dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *