Tre ditë pas rizgjedhjes në krye të PD, Lulzim Basha ka nisur punën për riorganizimin e degëve të kësaj force politike.
Pasditen e sotme, Basha ka zhvilluar një takim me drejtuesit e selisë blu në qarkun e Elbasanit.
Në një postim në Facebook, Basha e vë theksin në Kuvendin Kombëtar të 2 shtatorit, që sipas tij në këtë ditë do të çel siparin ndryshimet në PD.
Basha thotë se PD do të kthehet në një parti bashkëkohore, me vizion dhe program të qartë për familjet shqiptare.
“Kuvendi Kombëtar i 2 Shatorit çel siparin e ndryshimeve të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ku demokratët do të përcaktojnë me votën e tyre aksionin politik dhe ndryshimet e nevojshme për të qenë një parti bashkëkohore, me një kulturë të re politike, pranë qytetarëve, me vizion e program të qartë për problemet konkrete që prekin familjet shqiptare.
Strukturat drejtuese të Qarkut të Elbasanit janë të vendosura për të çuar përpara riorganizimin dhe modernizimin e degëve të Partisë Demokratike, për t’i prirë përballjes me kundërshtarin politikë, për t’iu kundërvënë korrupsionit të pushtetit me vlera dhe alternativën më të mirë”.
Kreu i zgjedhur i PD shton më tej se politika shqiptare duhet të pastrohet përmes vettingut.
“Korrupsioni që ka kapur shtetin, siç dëshmon Afera e Incenearatorëve, i bën jetike për vendin propozimet tona për pastrimin e politikës përmes vetting-ut, që abuzuesit me pronat, taksat dhe besimin e shqiptarëve të mos gjejnë më vend në politikë”.
Gjatë ditës së sotme, Basha ka zhvilluar edhe disa takime të tjera me demokratët në bazë, me fokusin e veçanë tek organizimi i partisë dhe Kuvendi Kombëtar i 2 shtatorit.





