Subscribe

Debati për reformën zgjedhore është rihapur për shkak të takimeve që Komisioni i Venecias dhe ODHIR kanë zhvilluar përgjatë dy ditëve me aktorët kryesorë politikë në vend. Shqetësimi kryesor që opozita i ka përcjellë ekspertëve të Venecias në lidhje me ndryshimet e 5 tetorit është formula e koalicioneve e cila sipas ekspertit të zgjedhjeve në PD Oerd Bylykbashi u ndryshua në mënyrë të njëanshme për të favorizuar mazhorancën.

OERD BYLYKBASHI
ANETAR I KRYESISE, PD
“Përpjekja e PS për të ndryshuar mekanizmin e mbledhjes së votave nëpërmjet partive apo koalicioneve dhe këto vota t’i kthehen në mandate me qëllimin e vetëm që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në mënyrë të njëanshme.”

Bylykbashi këmbëngul se sidoqë të jetë opinion final i Venecias, rekomandimet e tij duhen reflektuar në ligjin zgjedhor dhe sipas tij deri në 17 shkurt që regjistrohen partitë ekziston e gjithë hapësira e nevojshme kohore për të realizuar ndryshimet.

“Rekomandimet e Komisioni të Venecias dhe të ODIHR se do të jetë një opinion i përbashkët janë 100% të zbatueshme brenda afatit të Kodit Zgjedhor për regjistrimin e subjekteve.”

Por reforma zgjedhore që në nisje të saj u konceptua më e gjerë se ndryshimi i kodit elektoral dhe marrëveshja e 5 qershorit përfshin ndryshimin e 7 ligjeve që në këndvështrimin e opozitës garantojnë mekanizmat kundër korrupsionit zgjedhor. Por sot 5 muaj pas marrëveshjes shumica e ligjeve ende nuk janë miratuar nga mazhoranca edhe pse janë dakordësuar në Këshillin Politik dhe Bylykbashi ka artikuluar një paralajmërim të fortë.

“Nëse parlamenti do të bllokojë këto ndryshime do të kemi: së pari shkeljen e marrëveshjes se 5 qershorit, do të kemi zhbërjen e konsensusit per instrumenta të tjera që godasin krimin zgjedhor dhe së treti tregon qartazi që mazhoranca kërkon përsëri që atë që do të bëjë në datë 25 prill duke angazhuar sërish kriminelët që të mos jetë e ndëshkueshme nga prokuroria duke i lidhur duart prokurorisë.”

Edhe pse nga zgjedhjet parlamentare na ndajnë vetëm 5 muaj, kuadri ligjor ende nuk është mbyllur pasi nga njëra anë nuk janë miratuar ligjet kundër shitblerjes së votës e nga ana tjetër, opozita kërkon rishikimin e kodit elektoral në muajin dhjetor pas publikimit të opinionit të Venecias.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *