Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si përgjegjës për shkarkimin e 7 oficerëve të policisë, pasi ndaluan kunatin e tij. Drejtuesi i departamentit të Rendit e Sigurisë pranë PD-së, deklaroi se ministri Tahiri ka kaluar vijën e kuqe. I menjëhershëm ishte reagimi i Policisë së Shtetit, që përmes një deklarate për shtyp, shprehet se pretendimet e PD-së për shkarkimin e 7 punonjësve të policisë, janë tërësisht të pavërteta. Sipas Policisë në asnjërën prej ngjarjeve të cituara në deklaratë, nuk është shkarkuar asnjë punonjës policie, ndaj pretendimet dhe akuzat e bëra publike, janë thjesht fakte të pavërteta. Në deklaratën e Policisë theksohet se siç parashikon kuadri ligjor, është kryer procedura ligjore e verifikimit të përgjegjësive, procedurë standard që ndodh sa herë që një qytetar ka ankesë për veprimet e policisë.