Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku denoncon se 50 për qind e bizneseve janë të rrezikuara nga monopolet.
Sipas saj, qeveria është kundër biznesit dhe në shërbim të oligarkëve.
Gati 56% e bizneseve në fushën e farmaceutikës, shtoi Tabaku, ndjejnë presionin e shtetit për t’iu dorëzuar monopolit dhe oligarkut që urdhëron qeveria.
“Ndërkohë që 5 nga 9 lloje biznesesh kërcënohen nga qeveria për të mbyllur biznesin apo për t’ia shitur atë një oligarku apo monopolisti. Këto shifra tronditëse janë publikuar së fundmi në raportin SELDI 2020. Një tjetër dëshmi se kjo qeveri tashmë është totalisht në funksionin të interesave të oligarkëve të saj. Faktet e publikuara thuajse në çdo raport ndërkombëtar tregojnë qartë se për 7 vite me radhë ekonomia e vendit është prekur nga sëmundja shkatërruese e monopolit dhe oligarkisë. Çdo nismë qeveritare deri me sot ka pasur vetëm një qëllim: shkatërrimin e ekonomisë së tregut dhe konkurrueshmërisë për interes të oligarkisë dhe monopoleve. Këtë fakt e dëshmon dhe raporti i fundit i SELDI ku shkruhet e qartas se presioni i kapjes së shtetit në Shqipëri është 50%. Duke u renditur kështu të parët në rajon.
Për Tabakun, shteti është kthyer në një zyrë noteriale që aprovon politikat fiskale të oligarkisë dhe monopoleve. Ndër të tjera, demokratja shtoi se sektorë të tjerë me shenja të kapjes së fortë nga shteti janë tregtia me shumicë jo e specializuar, shitja e karburantit, sektori elektricitetit dhe sektori i ndërtimit.
“Qeveria e drejtuar nga Rama për gjithë këto vite nuk ka qenë miqësore me biznesin. Sot, ekonomia ka nevojë për frymëmarrje, ka nevojë për shpresë ka nevojë për konkurrencë. Ne do të heqim çdo barrierë që pengon konkurencën, nuk do të ketë asnjë koncesion në sektorë monopol, nuk do të këtë ligje speciale që favorizojnë 5 vetë e diskriminojnë 95% të bizneseve. Pas 25 prillit dhe ekonomia do të shpëtojë nga Edi Rama.”