sh-presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont ka bërë thirrje për një opozitë demokratike, për të kundërshtuar sundimin e drejtpërdrejtë të Madridit. Në një konferencë për shtyp, Puigdemont tha se qeveria spanjolle veproi kundër vullnetit të popullit katalanas dhe premtoi se nuk do të heqë dorë nga pavarësia e rajonit.
“Në një shoqëri demokratike është parlamenti ai që zgjedh presidentin. Qeveria spanjolle ka vepruar në kundërshtim me vullnetin e popullit katalanas. Ne do të punojmë për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe demokratike duke ruajtur gjithmonë integritetin dhe paqen. Ju kërkoj të ruani qetësinë.”
Qeveria spanjolle e ka zhveshur Katalonjën nga autonomia dhe ka marrë në duar kontrollin e saj. Masat e marra mëngjesin e të shtunës, erdhën pasi parlamenti katalanas shpalli pavarësinë të premten.
Madridi shkarkoi liderët katalanë dhe caktoi ne vend te Puigdemond zëvendëskryeministren spanjolle, Soraja Saenz De Santamaria. Më herët, ministria e Brendshme spanjolle mori në kontroll policinë e Katalonjës, pasi shkarkoi zyrtarët e lartë të saj.
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy lajmëroi shkrirjen e parlamentit rajonal dhe shkarkimin e liderit katalan, si edhe shpalli zgjedhjet e parakohshme lokale që do të mbahen më 21 dhjetor. Demonstrime pro dhe kundër pavarësisë janë mbajtur gjatë gjithë ditës së shtune, ndërkohë është lajmëruar edhe një grevë 10 ditore që do të fillojë më 31 tetor.