Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi shprehet se kjo qeveri duhet të ishte larguar shumë kohë përpara se presidenti Ilir Meta të zbulonte shkeljet e Kushtetutës. Sipas tij, qeveria aktuale e ka merituar të të largohet që gjatë kohës kur qeveriste në koalicion me LSI-në.

 

Teksa komentoi manifestimin e zhvilluar të hënën, Patozi tha se pas mbarimit të tubimit, pjesëmarrësit u janë rikthyer sërish problemeve, duke nisur që nga papunësia.

 

“Ka një ekzaltim të madh të atyre që organizuan apo udhëhoqën mitingun e Ilir Metës dje në bulevard. Aq i madh ishte shfrimi i gëzimit, sa krijoi edhe përplasje të forta shifrash për pjesëmarrjen, siç ishte, fjala vjen, kontrasti mes 100 mijë qytetarëve, që kishte numuruar Nikoll Lesi me 500 mijë vetët e Sali Berishës. Por tek e fundit, numrat nuk kanë shumë rëndësi që një manifestim politik të konsiderohet i suksesshëm. Nëse ata që iu përgjigjen thirrjes së Presidentit për të mbrojtur në shesh kushtetutën janë ndjerë fitues, pasi u dha komanda shpërndahu, gjithçka ia ka vlejtur dhe është i kotë çdo debat tjetër. Problemi është se shumica prej tyre, natyrisht jo të gjithë, kur kanë marrë rrugën për në shtëpi u janë rikthyer sërish halleve të veta, që nisin me papunësinë e nuk dihet se ku mbarojnë. Pjesa dërrmuese e asaj turme ka 7 apo më shumë vjet që e plugon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas çdo mitingu dëgjon udhëheqësin nga foltorja që bërtet për një fitore të madhe, pasi e ka copëtuar pa mëshirë dhe pastaj rrëzuar me fjalë armikun e kombit, ndërkohë që ky i fundit e sheh rënien e vet gjithmonë live në televizor. Nuk janë të paktë ata, që u ka takuar të kenë të dalë në protesta më shumë kundër heronjve të sotëm, të cilët dikur kanë qenë kundërshtarë të egër, se sa kundër armikut, që u ka shkelur këto ditë kushtetutën e presidentit. Por edhe kjo nuk ka shumë vlerë në një kohë, kur i shpallur luftë çdo gjëje racionale, që ka tepruar pa u vrarë dhe likujduar në këtë vend.”

 

Ndër të tjera, Patozi theksoi se ka një përpjekje të sforcuar për ta delegjitimuar dhe për ta injoruar protestën, sikur jetojmë në një vend që po qeveriset mire.

 

“Ndërkohë që kjo qeveri e ka bërë baltë, aq shumë në këto 7 vjet, sa që duhet të ishte larguar shumë kohë përpara se Ilir Meta të zbulonte këto shkeljet e kushtetutës së vet. Madje, edhe në rast se do të mërzitet ndonjë udhëheqës i Partisë Demokratike, mund ta themi se ajo e ka merituar të largohet që gjatë kohës kur qeveriste në koalicion me LSI-në e tij, jo shumë larg, por vetëm 2 vjet e ca më parë. Sot ata ndjehen të qetë nga pafuqia e revlucionit, që i është lagur baruti, por po ta shihnin si kërcënim protestën në bulevard dhe betimet e presidentit, edhe ata me siguri do të thërrisnin popullin e tyre në bulevard. Për t’i treguar dhëmbët dhe muskujt deri në fund armikut të palës tjetër, të cilin në raste të tjera e kanë pasur në krah si bashkëluftëtar. Dhe do të fillonte pastaj ai debati i neveritshëm me shifrat, që nuk kuptohet se pse vazhdon prej gati 30 vjetësh në këtë vend, kur të gjithë e dinë se i vetmi numerim që ka vlerë janë zgjedhjet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *