Për ngecjen e reformës zgjedhore, kreu i Bindjes Demokratike mendon se kjo bëhet me urdhër nga kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Astrit Patozi tha në “Facebook” se e gjithë çështja është e përqendruar në duart e atyre të dyve.


“KAM FRIKË SE DO TË NA DUKET LULE 17 MAJI

Sot është një ditë, që i duhet kushtuar posaçërisht atyre të dyve, meqë vetë e kanë caktuar atë si finale të Komitetit Politik të Reformës Zgjedhore. Pa përmendur asnjë emër tjetër. E para, se është e padrejtë ta shpërndash përgjegjësinë, kur dihet botërisht se vendimarrja është ekskluzive dhe e personalizuar. Ata nuk e fshehin dot më që e duan njësoj të mos e ndryshojnë mundësisht fare moçalin e politikëbërjes në Shqipëri, të paktën edhe për 5 vjet të tjera. Dhe mos u lodhni kot me debatin e panevojshëm, nëse kanë bërë ose jo marrëveshje për këtë çështje. Sepse kjo nuk ka asnjë vlerë. Është shumë më keq të biesh dakord pa marrëveshje, si tani, se sa të qepallohesh me “amikun”, pasi ke ndenjur katër orë i mbyllur tek për tek me të brenda, siç ndodhi 3 vjet më parë. Që do të thotë se do të na duket lule 17 maji, përpara asaj që na pret, në rast se Edi Rama dhe Lulzim Basha do ta çojnë deri në fund dëshirën e tyre të qartë për të mos ndryshuar asgjë në këtë vend, për shkak të interesave të tyre politike dhe llogarive financiare okulte.”

Këshilli Politik do të mblidhet sërish këtë të dielë në orën 19.00 për të bërë përpjekjet e fundit që të arrihet kompromisi për reformën zgjedhore. Kjo e dielë është afati i fundit për palët politike të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të dakordësohen për teknologjinë e administratën zgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *