Shkarkohet nga detyra Prokurori Bajram Brecani.

 

Komisioni i Pavarur I Kualifikimit vendosi të shkarkoje Prokurorin e Tiranës me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë.

 

 

Gjatë seancës dëgjimore ne date 1 shtator ai dha shpjegime për balancat negative të konstatuara në hetimin pasuror si dhe për gjetjet në kriterin profesional.

 

Breçani ka deklaruar se disponon një shtëpi banimi me sipërfaqe 145 m2 në një truall me sipërfaqe 460 m2 dhe një pjesë shpati rreth 300 m2. Ai ka shpjeguar se e ka blerë truallin së bashku me dy vëllezërit në vitin 1995, pa dokumente ligjore dhe se e kanë ligjëruar nëpërmjet një kontrate të vitit 1998, kundrejt vlerës 368 mijë lekë.

 

Subjekti i rivlerësimit ka sqaruar se objekti ka filluar të ndërtohet në fund të vitit 1996 dhe se ka kushtuar 3 milionë lekë. Po ashtu, ka shtuar se ka investuar edhe 2.5 milionë lekë për punime të brendshme dhe arredimin.

 

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Breçani ka deklaruar të ardhurat nga shitja e dy banesave, një në bashkëpronësi me një prej vëllezërve në vitin 1997 dhe tjetrën në Lushnjë në vitin 2001. Po ashtu, ka deklaruar si burim edhe të ardhurat e siguruara nga depozitat në ish-fonadacionin “Xhaferri”, të tërhequra prej tij në vitet 1995 dhe 1996.

 

Nga hetimi paraprak ka rezultuar se trualli është blerë vetëm nga subjekti dhe nga një prej vëllezërve. Po ashtu, ka rezultuar se një prej tre vëllezërve, i cili nuk rezulton të jetë bashkëpronar i truallit, nuk është pjesë e vetëdeklarimit për legalizimin e objektit të dorëzuar pranë ALUIZNI-t.

 

Sipas KPK, nuk është arritur të vërtetohen periudha e ndërtimit dhe kostot e objektit, ndërkohë që ndërtimi pa leje dhe zënia e truallit janë kryer gjatë periudhës që Breçani ushtronte detyrën e prokurorit.

 

Ndërkohë, Breçani mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. pavaresisht se figura e Prokurorit Brecani ka qene e atakuar per pushimin e akuzës ndaj  një personi të dyshuar për vrasje.

 

Vetingu i tij  u krye nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan.

 

Breçani e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në vitin 2000. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 2013 si prokuror në Prokurorinë e Krujës. Një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit ku ka shërbyer deri në vitin 2016, kur u caktua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *