Pasion për turizmin e aventurës, të huajt kryesojnë eksplorimin e zonave malore të Shqipërisë

Shqipëria po zgjidhet nga turistët e huaj jo vetëm për bregdetin, por edhe për aventurën që ajo ofron.
Turizmi i aventurës ka marrë një zhvillim të madh në pesë vitet e fundit në vendin tonë, me të huaj që eksplorojnë zona të thepisura dhe zbulojnë bukuritë e fshehura nga veriu në jug.
“Pjesa e aventurës është më tepër në zonat e veriut ose në zonat e thella, ku janë atraksionet më të bukura që ka Shqipëria. Ka edhe grupe që vijnë me guidë ose pa guidë. Nga miqtë, nga rrjetet sociale më tregojnë që kanë marrë vesh për Sqhipërinë, është diçka që ata i tërheq shumë sepse shtigjet tona janë shumë të egra, ndërsa jashtë shtetit janë me tabela, shumë të buta. Ata duan aventurën, duan edhe të rrezikojnë, ta gjejnë vetë shtegun ose ta krijojnë vetë një shteg”, tha tur-operatori Artan Gaziu
Interesi më i lartë për këtë degë të turizmit është nga të huajt, ndërsa shqiptarët i zgjedhin më pak guidat e aventurës.
“Interesi në këto momente që është edhe piku i sezonit, është nga të huajt. Shqiptarët e frekuentojnë kur ka kohë të mirë, shqiptarët çuditërisht tremben nga shiu. Të huajt thonë nuk ka kohë të keqe, ka veshje të keqe. Shqiptari e ka fobi shiun, nuk preferon të dalë”, shtoi Gaziu.
“Në pikun e sezonit kemi më shumë turistë të huaj., shqiptarët preferojnë detin,. Janë nga të gjithë moshat, prindër me fëmijë, grupe rinore, grupe shoqërore, nuk mungon asnjë target-grup turistësh”, deklaroi tur-operatorja Alma Spathara.
“Jam nga Polonia. Unë udhëtoj rreth botës, kjo nuk është hera e parë që vij në Shqipëri. Nisi 11 vite më parë dhe tani e kam humbur numërimin e herëve që kam vizituar Shqipërinë. Për të qenë e sinqertë, më pëlqen shumë natyra këtu. Ne bëjmë hiking, rafting dhe kemi parë bukuri të shumta. Jam një person shumë aktiv dhe më pëlqen të bëj sport dhe na pëlqen të vijmë në Shqipëri sepse këtu ofrohen shumë mundësi. Do të kthehem sërish”, tha turistja.
Veç polakëve, për turizmin e aventurës në Shqipëri vijnë edhe nga Australia, Kanadaja, Argjentina, Zelanda e Re, Spanja, Belgjika dhe Holanda.
Për zhvillim të mëtejshëm të kësaj dege turistike, tur-operatorët apelojnë për më shumë pastërti dhe përmirësim të shërbimit.
“Në përmirësim është ushqimi, ka traditë, por duhet edhe rregulluar. Është pastërtia, të mos ikin dritat sepse ushqimet ngrijnë dhe shkrijnë. Turistët sëmuren gjithmonë në gusht, nisin virozat sepse duke ikur dritat, ushqimet janë të papaketuara, futen në frigorifer dhe marrin sëmundje nga produktet e mishit dhe bulmetit. Duhet të ketë kulturë ose kontroll”, tha Artan Gaziu.
“Ankohen që ka shumë plehra, duhet përmirësuar pak shërimi në fushën e hotelerisë dhe restoranteve. Duhet të përdoren më shumë pajisje, të trajnohen”, deklaroi Spathara.
Zonat që frekuentohen më së shumti nga turisti i aventurës janë lumi i Shalës, Curraj i Epërm, kalimi Valbonë-Theth, majat e Ballkanit, Berati, Skrapari dhe Përmeti. /vizionplus.tv




