Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Beograd, ku në aeroportin “Nikola Tesla” është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Sipas programit të vizitës, nesër në orën 11:00 do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes para Pallatit të Serbisë, e më pas takimi i dy presidentëve në orën 11:20.

Në orën 12:05 do të mbahet seanca e katërt e Këshillit të Lartë për Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Turqisë, të udhëhequr nga presidentët Vuçiç dhe Erdogan.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me praninë e dy presidentëve do të mbahet në orën 13:00, ndërsa më pas në 13:10 do të mbahen deklaratat për media të presidentëve të Serbisë dhe Turqisë.

Në hotelin Hyatt në orën 16:00 do të organizohet një forum biznesi Serbi-Turqi, ku do të marrin pjesë presidentët Vuçiç dhe Erdogan.

Forumi do të mbledhë së bashku përfaqësues të kompanive nga sektorët e transportit dhe infrastrukturës, energjisë, turizmit, financave, industrisë së tekstilit, njoftoi Dhoma e Tregtisë së Serbisë.

Vuçiç dhe Erdogan u takuan për herë të fundit në shtator në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Erdogan e vizitoi Serbinë për herë të fundit në shtator të vitit 2022 dhe më parë në tetor 2019, kur u shënuan 140 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Presidenti i Turqisë vizitoi Serbinë edhe në vitin 2017, kur me presidentin Vuçiç vizitoi Novi Pazarin.

Vuçiç vizitoi Turqinë në 2018, 2021 dhe 2022.

Erdogan ditën e sotme ndodhej në Shqipëri ku u takua me kreun e shtetin, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama. Së bashku me Ramën, pasditen e së enjtes inauguruan xhaminë e Namazgjasë në Rrugën e Elbasanit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *