Në ditën e njëmbëdhjetë të tubimit, protestuesit në komunat në veri të Kosovës Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç janë mbledhur përpara ndërtesave komunale. Situata paraqitet e qetë. Po ashtu pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës vijojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave në ruajtje të rendit.

 

Ndërkohë, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje në veri të Kosovës, vetëm nëse plotësohen dy kushte. Sipas Listës Serbe, së pari forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga komunat në veri dhe së dyti duhet të formohet menjëherë asociacioni i komunave me shumicë serbe.

 

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se marrëveshja nuk është në përputhje të plotë me ligjin themeltar. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por qeveria është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

 

Ndërkohë sot, kryeministri Albin Kurti pret përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-ve, Gabriel Escobar, në Prishtinë. Vizita e tyre ka për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje, për të ulur tensionet në veri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *