Kjo e shtunë e ka gjetur arenën politike në vend me një axhendë mjaft të ngjeshur takimesh brenda strukturave, me qëllim përcaktimin e emrave të kandidatëve të zgjedhjeve vendore.

 

Gazetarja Enkeleda Mema raporton për Vizion Plus se Partia Socialiste ende nuk i ka zyrtarizuar 61 kandidatët e saj. Megjithatë kandidimi në bashkitë më të mëdha dhe të rëndësishme të vendit do iu besohet sërish emrave të “vjetër”, në një tjetër sfidë për mandatin e radhës.

 

Kjo forcë politike e nisi ditën në Vlorë, ku edhe u zhvillua Asambleja e PS.  Pas një votimi nga socialistët sfida për këtë zonë iu besua diplomatit Ermal Dredha, i cili fitoi me 140 vota nga 40 të Fate Velajt.

 

Megjithatë ky proces nuk ka kaluar pa diskutime brenda socialistëve, ku mësohet se nuk kanë munguar as qortimet e kryeministrit mbi “lobimet” e deputetëve të rinj për t’u propozuar si kandidatë për këtë zonë.

 

Emri për Bashkinë Shkodër në radhët e socialistëve surprizoi gjithashtu. Ish deputeti socialist Benet Beci do të garojë në 14 maj për këtë zonë, që njihet si bastion i djathtë.

 

Ndërkohë diskutime mësohet të ketë pasur dhe për Bashkinë Kavajë. Drejtuesi politik i PS për këtë zonë, Taulant Balla dhe deputeti Erion Braçe kanë diskutuar lidhur me emrin që do t’i përfaqësojë në zgjedhjet vendore. Megjithatë, PS do i besojë dhe këtë herë sfidën për Bashkinë Kavajë, Fredi Kokoneshit.

 

Bashkia Bulqizë ende nuk ka një emër që përflitet apo është konfirmuar për të përfaqësuar logon e PS. Arrestimi i ish-kreut të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, me urdhër të SPAK ka sjellë pikëpyetje lidhur me kandidatin për këtë zonë.

 

Ndërkohë kampi tjetër politik këtë të shtunë ka zhvilluar disa takime, të cilat po përmbyllen me atë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Skenarët politikë për zgjedhjet vendore për këtë forcë politike mbeten të hapura, ndërsa ende nuk ka një zyrtarizim të strategjisë që PD zyrtare do të ndjekë.

 

Gazetarja Olta Blaceri raporton për Vizion Plus se demokratët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të kandiduar në zgjedhjet e PD. Teksa zhvillohet mbledhja e Kryesisë së PD, qasjet brenda llojit konsistojnë në tre. Fillimisht kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj kërkon që ‘PD e vulës’ të garojë në të gjitha bashkitë e vendit, me kandidatë për kryetarë bashkie dhe me listat e këshilltarëve bashkiakë.

 

Por, ndryshe mendon sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, i cili kërkon që kjo forcë në zgjedhjet e 14 majit duhet të mbështesë kandidatët e ‘Primarëve’, me argumentin se dhe ato po ashtu janë demokratë. Sipas tij, kjo do të shmangte përçarjen e opozitës dhe përfitimin e kundërshtarit direkt, Partisë Socialiste.

 

Një grupim i tretë nga strukturat e PD ka hedhur në tryezë idenë e të kandiduarit vetëm në disa bashki të vendit, ku grupi i “Alibeajt” parashikon fitoren.

 

Megjithatë, diskutimet brenda PD nuk kanë marrë ende trajtën e versionit zyrtar me të cilin demokratët dhe qytetarët presin të njoftohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *