Ky 11 prill shënon zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 11 majit. Në sheshin “Nënë Tereza”, në orën 19:00 Partia Demokratike është e para që zbret në fushë.
Socialistët e kanë konceptuar në tjetër mënyrë nisjen e fushatës. Gratë janë ato që do të marrin vëmendje në një takim i cili do të mbahet në orën 17:00, brenda teatrit të Operas dhe Baletit duke komunikuar në lidhje direkte me 12 qarqet e Shqipërisë, ku secili drejtues politik do të prezantojë kandidatet respektivë në garë. Takimi do të drejtohet nga kryesocialisti Edi Rama.
Partia Socialiste ka njoftuar se takimin zyrtar për të ndezur motorët e garës do ta realizoje të shtunën, më datë 12, në Sheshin “Skënderbej”, në orën 12:00 në simbolikë të 12 yjeve të flamurit të BE si pjesë e integrimit në Union dhe me një lidhje direke në 12 qarqet e Shqipërisë.
Pa humbur asnjë ditë kohë, kryetari i Partisë Demokratike do të mbledhë sonte në shesh, figurat kryesore, aleatet dhe simpatizantët. Pjesë e mitingut hapës të fushatës do të jetë edhe strategu amerian Cris LaCivita i cili mësohet se do të mbajë edhe fjalën përshëndetëse në krah të kryedemokratit Berisha.
Në një postim në Facebook, kryekomisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi ka bërë një thirrje të drejtpërdrejt për kandidatët në garë.
“Subjektet zgjedhore të regjistruara dhe kandidatët e tyre, kanë detyrimin për të bërë fushatë duke respektuar Kodin Zgjedhor, si edhe çdo normë tjetër ligjore, e cila përcakton dhe garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme”, tha Celibashi.
Fushata do te zhvillohet deri më datë 9 maj, ndërsa data 10 maj, ashtu edhe siç e parashikon Kodi Zgjedhor do të jetë heshtje zgjedhore./vizionplus.tv





