Partia Liberale e Kanadasë zgjedh Mark Carney për të pasuar Justin Trudeau

Mark Carney është zgjedhur lider i Partisë Liberale të Kanadasë. Ai do të zëvendësojë Justin Trudeau.
Carney tani pritet të udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme federale, të cilat duhet të mbahen para tetorit, por mund të mbahen edhe më herët, ku ai ka të ngjarë të përballet me konkurrencë të ashpër nga partia Konservatore, e cila aktualisht kryeson në sondazhe.
Ndërsa Carney do të marrë detyrën menjëherë si lider i Partisë Liberale, Trudeau do të mbetet si kryeministër i Kanadasë për një periudhë tranzitore ende të pazbuluar, shkruan CNN.
Një nga çështjet kryesore me të cilën duhet të merret Carney është përkeqësimi i marrëdhënieve të vendit me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i SHBA Donald Trump ka fajësuar vazhdimisht Kanadanë për imigracionin e paligjshëm në SHBA, kërcënoi se do ta kthejë Kanadanë në një shtet të 51-të të SHBA-së dhe do të vendosë tarifa të larta për importet kanadeze, të cilat Shtëpia e Bardhë thotë se janë të nevojshme për të frenuar rrjedhën e fentanilit mbi kufijtë e saj.
Në komentet e tij të para pas rezultatit të votimit, Carney iu referua tensioneve me SHBA-në, duke thënë se qeveria e tij do të “krijojë marrëdhënie të reja tregtare me partnerë të besueshëm tregtarë”.
Ai gjithashtu u zotua të mbajë në fuqi tarifat hakmarrëse ndaj SHBA-së “derisa amerikanët të na tregojnë respekt”.
“Kërcënimet e reja kërkojnë ide të reja dhe një plan të ri”, tha ai në konventën e Partisë Liberale të dielën.
Duke goditur planet tarifore të administratës Trump, Carney tha për presidentin amerikan: “Ai po sulmon familjet, punëtorët dhe bizneset kanadeze dhe ne nuk mund ta lëmë të ketë sukses dhe nuk do ta bëjmë.”
“Në tregti si në hokej, Kanadaja do të fitojë,” shtoi ai.
Carney tani do të përballet me liderin konservator Pierre Poilievre, i cili më parë është krahasuar me Trump, por tani kërkon të distancohet nga lideri amerikan, duke përsëritur në një konferencë shtypi në fillim të kësaj jave se ai nuk është “MAGA”.
Në një tubim të dielën përpara votimit të Liberalëve, Poilievre dha komente të ashpra për Carney, një ish-guvernator i Bankës së Anglisë dhe Bankës së Kanadasë, duke e portretizuar atë si një udhëheqës të papajisur për t’u marrë me Trump.
“Duke punuar për Trudeau, Carney e bëri Kanadanë më të dobët dhe më të varfër; duke punuar për veten e tij Carney i bëri Shtetet e Bashkuara më të pasura dhe më të forta”, tha Poilievre.
Në vërejtjet e tij pas rezultateve të votimit, Carney iu kundërpërgjigj kundërshtarit të tij konservator.
“Donald Trump mendon se mund të na dobësojë me planin e tij për të përçarë dhe pushtuar. Plani i Pierre Poilievre do të na lërë të ndarë dhe të gatshëm për t’u pushtuar”, tha Carney.
Javët e fundit, epërsia që gëzojnë konservatorët është ngushtuar pasi Trudeau, Carney dhe figura të tjera të Partisë Liberale kanë marrë pozicione të forta për mosmarrëveshjen tregtare me SHBA-në.
Trudeau ka udhëhequr partinë për më shumë se një dekadë. Ai mori Liberalët në pushtet në vitin 2015, dhe u zgjodh edhe dy herë të tjera, më së fundi në 2021, kur mbeti në pushtet, por humbi shumicën e tij qeverisëse.
Largimi i Trudeau pason një seri krizash politike, rritje të pakënaqësisë ekonomike dhe dorëheqjen e papritur të zëvendëskryeministrit të tij dhe ministres së financave Chrystia Freeland, e cila ishte gjithashtu në garë për ta pasuar atë.
Në disa nga komentet e tij të fundit si udhëheqës i Partisë Liberale, Trudeau paralajmëroi të dielën se kanadezët përballen me një “sfidë ekzistenciale” nga SHBA.
“Ky është një moment përcaktues i kombit,” tha ai në konventën e lidershipit liberal në Otava, përpara se Carney të shpallej si pasardhësi i tij./vizionplus.tv




