Subscribe

Marrëveshja politike Rama-Basha do bëhet ligjore pasditen e së hënës, kur Parlamenti do të thirret në seancë të jashtëzakonshme.

 

Kuvendi ka njoftuar se kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen në sesion të jashtëzakonshëm, ditën e hënë, 22 maj 2017, në orën 18.00.

 

Ligjvënësit do të votojnë dekretet e Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të Zv/kryeministrit dhe të 6 ministrave, të Brendshëm, Arsimit, Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale, Financave dhe të Drejtësisë.

 

Po ashtu, në seancë do shqyrtohet dhe miratohet paketa ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore.

 

Pika e tretë e rendit të ditës lidhet me një ndër momentet më të rëndësishme të legjislaturës që po mbyllet, kur mazhoranca dhe opozita janë përplasur fort. Në seancë do të votohen emrat e anëtarëve të opozitës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të Vettingut, si dhe caktimin e Zëvendësuesve.

 

Së fundmi, në seancën e jashtëzakonshme do të votohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe një anëtari të këtij institucioni. Marrja e drejtimit të KQZ-së nga opozita ishte një tjetër pikë e marrëveshjes politike Rama-Basha.

 

Mbledhja e seancës së jashtëzakonshme zhvillohet pasi Rama e Basha shtrënguan duart pas një takimi të gjatë kokë më kokë mbrëmjen e të enjtes.

 

Ky pakt i dha fund protestës 3 mujore të opozitës e cila nga çadra e ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shumë pranë zyrës së kryeministrit, kërkoi rrëzimin e Edi Ramës dhe ekzekutivit të tij, për t’i lënë vendin një qeveri teknike, që do të garantonte zgjedhje të lira.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *