Parlamenti do të zhvillojë mbledhjen e parë të sesionit të ri në datën 8 shtator. Kushtetuta parashikon se Kuvendi duhet të mblidhet të hënën e parë të shtatorit por meqënëse data 7 është pushim për shkak të festës së Shenjtërimit të Nënë Terezës, burime nga mazhoranca sqarojnë se séanca plenare do të zhvillohet në 8 shtator.
Punimet e parlamentit deri në muajin dhjetor do të dominohen nga dy ngjarje; e para zgjedhjet lokale dhe e dyta procesi I negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në raport me zgjedhjet lokale parlamenti do të miratojë ndarjen e re territoriale të vendit me 46 bashki nga 61 që Shqipëria ka aktualisht. Për shkak se ligji për vetëqeverisjen vendore detyron që harta e re ti nënshtrohet konsultimeve për 60 ditë; ky afat përfundon në fillim të muajit tetor dhe në këtë moment pritet që parlamenti të miratojë shkrirjen e 15 bashkive dhe ndarjen e re territoriale. Opozita ka deklaruar se është kundër kësaj ndarje dhe nuk e voton; por mazhoranca ka 85 deputetë dhe nuk ka probleme për të miratuar ligjin që kërkon 3/5 e votave.
Por nëse me reformën territoriale PS ka vendosur të ecë vetëm; tek reforma zgjedhore mazhoranca e opozita ende po punojnë bashkë.
Nuk pritet që komisioni tu japë zgjidhje debateve të mëdha sic është ai për sistemin zgjedhor apo koalicionet pasi zgjedhjet parlamentare janë në vitin 2029 dhe ka kohë për këto cështje. Komisioni I Reformës Zgjedhore po punon për ligjin e “Financimit të Partive Politike” që vendos rregulla për financat e partive përgjatë gjithë vitit; e gjithashtu do të shihet mundësia për të hartuar rregullat për financimin gjatë fushatës elektorale që kërkon ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.
Komisioni do të shohë edhe mundësinë për të forcuar ligjin kundër përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë.
Mbetet për tu parë nëse ndarja e re territoriale do të kërkojë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor për tu zbatuar në zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Ende është vështirë të parashikohet nëse reforma zgjedhore do të realizohet me konsensus apo mazhoranca do të vendosë ta miratojë e vetme njësoj si reformën territoriale; pasi PS I ka 84 votat e nevojshme për të miratuar ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor.
Përtej këtyre cështjeve parlamenti këtë sesion do të miratojë një numër jo të vogël ligjesh që janë kusht për procesin e negociatave për anëatrësimin e Shqipërisë ne BE. Ende nuk është bërë publike lista e këtyre ligjeve por tashmë është e qartë se mbyllja e kapitujve do të kërkojë përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë europian.





