Parlamenti mblidhet të hënën/ Seancë e jashtëzakonshme për votimin e ministrave të rinj
Parlamenti do të mblidhet të hënën pasdite në sesion te jashtëzakonshëm për të votuar ndryshimet në qeverinë Rama.
Seanca është thirrur nga vetë kryeministri Edi Rama dhe në rendin e ditës është votimi i Olta Xhaçkës si ministre e Jashtme dhe Niko Peleshit si ministër i mbrojtjes.
Pas këtyre votimeve, deputetët vazhdojnë pushimet pasi sipas Kushtetutës, Parlamenti nis normalisht punimet në 18 janar.
Ky është sesioni i fundit i Parlamentit; i cili ka hyrë në historinë e politikës shqiptare si i pari Parlament gjatë mandatit të të cilit opozita dogji mandatet e doli jashtë institucioneve.
Sipas Kushtetutës, edhe pse zgjedhjet janë në 25 prill, ky Parlament qëndron në detyrë deri në 9 shtatorin e 2021 dhe mund të ushtrojë të gjitha funksionet e tij, duke përjashtuar privatizimet, koncesionet, uljet e taksave që i janë ndaluar nga kodi zgjedhor.
Por edhe pse Parlamenti do të vazhdojë të mblidhet; në axhendën e tij nuk ka projektligje të rëndësishme apo vendime që sjellin debat publik.
Deputetët dhe partitë politike do të fokusohen tek fushata zgjedhore dhe rezultati i 25 prillit dhe 8 muajt e fundit të kësaj legjislature pritet të jenë më të qetë.




