Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, ka qenë ish-zyrtari tjetër i lartë që është thirrur nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të dosjes së 21 janarit, dosje e cila është nën hetim pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut dhe asaj të Lartë, që e konsideruan vrasjen e 4 protestuesve një krim shtetëror. Topi është thirrur në SPAK për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni.
Kjo është hera e parë që ish-kreu i shtetit, Bamir Topi, thirret në strukturën e posaçme për këtë çështje, kjo në kuadër të pozicionit të tij në kohën kur u vranë protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në vitin 2011, Bamir Topi ishte president i vendit gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
Hetimet për 21 janarin nisën nga SPAK në korrik të vitit 2024, pas regjistrimit të dosjes për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
Më herët ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha që u mor në pyetje për këtë dosje. SPAK i kishte dërguar Berishës tri herë fletëthirrjen për t’u paraqitur, por dy herët e para, kreu i demokratëve tha se nuk ishte njoftuar, edhe pse Prokuroria e Posaçme i kishte dërguar letrën në adresën e banimit, në selinë e PD dhe në Kuvend. Megjithatë, Berisha u detyrua të paraqitej në SPAK për 21 Janarin, pasi prokurorët i dhanë dorazi fletë-thirrjen në momentin që ai u paraqit për masën e sigurisë në kuadër të dosjes për ish-kompleksin “Partizani”.
Pas daljes nga ambjentet e SPAK, Berisha mohoi që të ketë qenë ai personi që ka dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve, ndërkohë hetimet për këtë dosje i quajti sulme politike të drejtuara nga kryeministri Edi Rama.
Përpara Berishës, u mor në pyetje për 21 Janarin ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili pas 90 minutash para hetuesve nuk pranoi të flasë për media, duke ruajtur sekretin hetimor.
Ndërsa nga qelia, Ilir Meta ka shprehur vullnetin e tij të lirë përmes një shkrese drejtuar SPAK, për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për 21 Janarin, pasi gjatë protestës së opozitës ishte në bashkëqeverisje me Berishën.
/vizionplus.tv





