Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave të hartuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit.

Masat shtesë janë hartuar që nga pikat e kalimit kufitar, në kaset rrugore dhe në qendrat e banuara. Masa janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre.

Policia e Shtetit njofton se janë angazhuar Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.

Policia njofton se do të ketë kontrolle ndaj personave me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë,  për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale.

Po ashtu, për të eliminuar radhët e gjata në hyrje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Policia njofton se po bashkëpunohet me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.

Njëkohësisht është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve rrugore, duke shtuar monitorimet në të gjitha akset rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ndërkohë, vijon kontrolli ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë të tjera piroteknike.

Masa janë marrë edhe për të parandaluar grabitjet, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *