Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se javët e ardhshme do të jenë të “mbushura” me aksione të policisë kundër krimit të organizuar. Në një intervistë për gazetën gjermane “Spiegel”, Rama deklaroi se do të ketë edhe konfiskime pasurie të vëna në rrugë jo-ligjore.

 

“Shqipëria është një vend shumë më i mirë se katër apo pesë vite më parë. Nuk ka më prodhim në shkallë të gjerë të kanabisit, numri i vrasjeve nga krimi i organizuar ka rënë ndjeshëm. Ne kemi burgosur anëtarët kryesorë të klaneve të drogës. Gjatë javëve të ardhshme ne do të fillojmë një ofensivë shumë të ashpër kundër krimit të organizuar dhe do të konfiskojmë pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme.”

 

I pyetur për tërheqjen e përkohshme të mazhorancës nga miratimi i paketës anti-shpifje, shefi i qeverisë bëri të qartë se nuk ka asnjë mundësi që PS të heqë dorë nga ky projektligj.

 

“Nuk ka arsye për ta bërë një gjë të tillë, kjo është qesharake. Gjatë bisedimeve me OSBE-në, ne kemi vazhduar ta zbusim ligjin për mediet. Ligji përfshin një dispozitë, sipas së cilës viktimat e shpifjes duhet të kontaktojnë një rregullator dhe të kenë të drejtën të kërkojnë një përgënjeshtrim dhe falje.”

 

Duke folur edhe për reformën në drejtësi, ai e krahasoi atë me operacion që i kryhet një njeriu.

 

“Unë shoh suksese. Ne jemi në procesin e pastrimit të gjyqësorit tonë. Ne po operojmë kancerin në trupin e pacientit. Ai mund të ngrihet në këmbë vetëm pas operacionit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *