Subscribe

Për herë të parë vjen në kryeqytetin shqiptar, “Parada e shqiptarëve”. Aktiviteti do të zhvillohet më 28 Nëntor në bashkëpunim me “Albanian Roots”. Teksa jep këtë lajm, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i fton të gjithë të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

 

“Këtë 28 Nëntor ne, shqiptarët, festojmë 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Është një nga ato ditë kur dritaret e shtëpive tona skuqen nga flamujt kuqezi, kur zemra e çdo shqiptari rreh njësoj, dhe secili prej nesh ka dëshirë ta thotë me zë të lartë: “O sa mirë me qenë Shqiptar”! E ku ka më bukur se sa Ditën e Flamurit ta festojmë të gjithë bashkë, këtu, në Tiranë! Prandaj, këtë vit, kemi menduar të organizojmë diçka krejt të veçantë, që do ta mbajmë mend gjatë. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, m’u në zemër të kryeqendrës së shqiptarëve, vjen “Parada e Shqiptarëve” – një festë e paharruar për Ditën e Pavarësisë, plot ngjyra e hare, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit, për t’u mbledhur së bashku në një paradë kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës sonë”, thotë Veliaj, ndër të tjera m, në mesazhin e postuar në rrjetet sociale.

 

Mandej, ai shpreh lumturinë që kjo paradë e jashtëzakonshme do të mbahet në Tiranën e transformuar vitet e fundit.

 

“Tirana do të mirëpresë krahëhapur, me këngë e valle, çdo shqiptar që ka dëshirë të na bashkohet në festën tonë të madhe. Por, kam edhe një falenderim për “Rrënjët shqiptare”, që pas 15 vitesh organizimi në New York, e riktheu Paradën aty ku janë rrënjët e saj, në Shqipërinë tonë, në kryeqytetin e shqiptarëve! Mezi pres t’ju takoj të gjithëve në Tiranë në 28 Nëntor”, përfundoi Veliaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *