Presidenti Donald Trump bëri të ditura disa përfundime të sistemit shëndetësor amerikan, të cilat sugjerojnë se autizmi lidhet me përdorimin e paracetamolit në shtatzëni.
Në një konferencë për shtyp, së bashku me Sekretarin e Shëndetësisë Kennedy, Trump paralajmëroi prindërit të qëndrojnë sa më larg të jetë e mundur këtij medikamenti.
“Marrja e paracetamolit nuk është e mirë. Në rregull. Do ta them. Nuk është e mirë. Për këtë arsye, rekomandohet fuqimisht që gratë të kufizojnë përdorimin e tij gjatë shtatzënisë, përveç nëse është e nevojshme nga ana mjekësore. Kjo është, për shembull, në rastet e temperaturës jashtëzakonisht të lartë, kur mendoni se nuk mund ta përballoni dot ndryshe”, u shpreh Donald Trump, President i SHBA-ve.
Presidenti amerikan ngriti shqetësim edhe për vaksinimin e fëmijëve me një numër të madh vaksinash në një moshë shumë të vogël dhe tha se po punohet për ta ndryshuar një gjë të tillë.
Pretendimet e presidentit amerikan mbi përdorimin e paracetamolit janë kundërshtuar me forcë nga ekspertët mjekësorë. Disa prej tyre kanë thënë se deklaratat e kreut të Shtëpisë së Bardhë janë shumë të rrezikshme.
Zyrtarët e shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë theksuar se paracetamoli mbetet qetësuesi më i sigurt i dhimbjeve në dispozicion për gratë shtatzëna.
Agjencia Evropiane e Barnave reagoi duke thënë se nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të rajonit për përdorimin e paracetamolit, duke shtuar se medikamenti mund të përdoret gjatë shtatzënisë kur është i nevojshëm, por gjithmonë në dozën dhe shpeshtësinë më të ulët efektive.
/vizionplus.tv





