Para dialogut, qartësim i situatës politike

Tashmë një kohë të gjatë, çështja e përfundimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje paqeje, është shndërruar në temën kryesore të Ballkanit Perëndimor dhe është krejtësisht i kuptueshëm insistimi i faktorëve ndërkombëtarë që palët t’i kthehen tavolinës së dialogut, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas tyre, tash e disa muaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por së fundmi edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, si dhe të shtetet anëtare më të fuqishme të tij, janë duke insistuar që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen bisedimeve, të cilat janë ndërprerë rreth një vjet e gjysmë më parë, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje paqeje dhe që kjo temë të përmbyllet.
Insistimi për dialog, (jo)produktiv
Analisti Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se insistimi i faktorëve ndërkombëtarë që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut është për faktin se ai nuk ka alternativë tjetër. Por, sipas tij, para se Kosova eventualisht t’i qaset dialogut, duhet ta qartësojë situatën politike brenda vendit.
“Përmbyllja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje e cila do ta garantonte një paqe afatgjate në Ballkan, është një prioritete për të gjithë. Prandaj edhe nuk ka alternativë. Kjo duhet të kuptohet nga të gjithë akterët kosovarë. Qartësim i situatës politike në Kosovë, qoftë me zgjedhje të reja apo me qeveri të re, do të jetë hapi i parë i procesit të rifillimit të dialogut, sepse pa një qartësim nuk ka kuptim që të kërkohet pjesëmarrja e Kosovës në këtë dialog”, tha Muhaxhiri.
Sipas tij, kjo për faktin se aktualisht, Kosova ka një qeveri në detyrë dhe nuk ka institucione legjitime që do ta merrnin mbi vete barrën e dialogut.
Analisti Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që insistimi i kohëve të fundit nga faktorët ndërkombëtarë, që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut, është joproduktiv.
“Kemi parë shumë shpesh që është bërë një presion, veçanërisht ndaj Kosovës, mirëpo që proceset kanë ngecur edhe për shkak të zhvillimeve politike në vend dhe në fund, nuk është se ka prodhuar diçka ky dialog. Kështu që, është mirë që pala e Kosovës, fillimisht të stabilizohet dhe të jetë unike përbrenda, ta ketë të definuar çështjen e qeverisë së ardhshme. Pra, pa e ditur se kush do të jetë në udhëheqje të qeverisë, ka me qenë problematike për ta ditur se kush ka për të negociuar në emër të Kosovës”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se presidenti i vendit, Hashim Thaçi duhet të qëndrojë brenda autorizimeve që i ka me Kushtetutën dhe të respektojë plotësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka vlerësuar se politikat e jashtme i formon qeveria e vendit.
Megjithatë, politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që insistimi i faktorëve ndërkombëtarë për rinisjen e dialogut është i arsyeshëm.
“Ka nevojë të bisedohet me Serbinë sepse duhet të bëhet normalizimi i marrëdhënieve. Është e nevojshme sepse situatat po ndryshojnë dhe po ndodhin gjëra tjera nëpër botë dhe Kosova po e humbë rëndësinë e prioritetit të zgjidhet si çështje. Ekziston mundësia që gjatë administratës së presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump kjo të zgjidhet”, theksoi Tahiri.
Njohësit e zhvillimeve politike, kanë theksuar se Gjykata Kushtetuese po ashtu pritet që të qartësojë edhe situatën lidhur me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, nëse qeverisjen do ta vazhdojë qeveria aktuale në detyrë, nëse do të ketë qeveri të re me një mandatar i ri për kryeministër apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.
Pa një status të qartë të qeverisë së ardhshme, sipas tyre nuk do të ketë as legjitimitet të marrëveshjes.
Marrëveshja nën presion?
Por, çfarë janë mundësitë që një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda këtij viti?
Analisti Muhaxhiri, shpreh mendimin që kjo është mjaft e vështirë, përveç në rast se do të ketë një insistim dhe presion të madh nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovs dhe Serbisë.
“Pra, vetëm një presion i jashtëzakonshëm dhe një investim marramendës i potencialit politik amerikan dhe evropian drejt kësaj teme, do të mund ta finalizonte këtë marrëveshje sivje. Por, nëse kjo nuk ndodhë atëherë do të jetë në vitin e ardhshëm”, vlerësoi Muhaxhiri./ REL




