Ekspertë të ekonomisë e kanë vlerësuar nismën “Paqja Fiskale me biznesin” si një tentativë të qeverisë për të kryer një amnisti.
Bujar Bendo, auditues ligjor, thotë se shtylla e dytë dhe e tretë e këtij projekti, që janë rishikimi i bilanceve si dhe falja e detyrimeve, në thelb janë amnisti.
“Ky projekt është i nisur kohë më parë, kur qeveria prezantoi amnistinë fiskale, e cila nuk u miratua për disa arsye. Paqja fiskale është vijim i kësaj fryme. Por efekti i vërtetë i këtij projekti pritet të shihet në vazhdim për të parë deri ku do të shtrihet qeveria me faljet. Rishikim i bilanceve si dhe falja e detyrimeve më të vjetra se 10 vite nuk janë gjë tjetër vetëm amnisti”, tha Bendo.
Por sipas tij, në sytë e ndërkombëtarëve Shqipëria ende nuk i ka të konsoliduar institucionet publike, dhe konkretisht organet fiskale.
Ndaj një falje detyrimesh për biznesin duhet të shoqërohet me një vit zero, ku mbikëqyrja duhet të jetë më e fortë. Por a është Shqipëria në këtë fazë?
“Nuk mendoj se kemi arritur në këtë pikë që të kemi forcuar ligjet, kontrollet dhe mbikëqyrjen. Aktualisht jemi në fazën kur në mënyrë të vazhdueshme qeveritë ofrojnë falje fiskale të pjesshme, çka ofrojnë një kulturë fiskale që bizneset që kryejnë shkelje një ditë do të falen. Kjo frymë dekurajon dhe krijon pabarazi për bizneset e rregullta”, sqaroi Bendo gjatë një interviste në Vizion Plus.
Bendo vijon më tej kur thotë se kjo paqe fiskale është e njëanshme. Sipas tij janë të shumtë ata individë që janë penalizuar nga kodi rrugor, nuk kanë paguar detyrimet për energjinë, ujin e pijshëm etj., dhe nuk favorizohen në falje.
/vizionplus.tv