Subscribe

Papunësia ka shënuar një shifër rekord rënieje në tremujorin e parë të këtij viti, duke arritur në 12.5%, niveli më i ulët ky i shenuar ndonjehere.

 

Shifra konfirmohet nga Instituti i Statistikave, i cili më pas është komentuar edhe nga ministri i financave, Arben Ahmetaj.

 

“Anketa e forcave të punës, e publikuar sot nga INSTAT, konfirmon se punësimi ka vijuar trendin e tij rritës edhe në tremujorin e parë 2018, me një kërcim serioz prej 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lajmi tjetër i mirë është ulja e papunësisë në nivelin më të ulët historik, në 12.5%, ose më një rënie prej 1.7 pikë me bazë vjetore.”

 

Sektorët që kanë shënuar rritjen më të madhe të punësimit janë ai i shërbimeve si dhe bujqësia. Me këtë nivel të arritur, Shqipëria sipas ministrit renditet si vendi i parë në rajon sa i përket punësimit të moshave aktive.

 

Për qeverinë modeli i ri ekonomik, i cili orienton drejt arsimit profesional, si dhe fuqizimi i zyrave të punës kanë qenë kontribuuesit kryesor të kësaj situate.

 

“Patjetër që ende duhet bërë më shumë për punësimin e të rinjve, por siç edhe tregojnë shifrat, strategjia dhe politikat e punësimit, të formimit dhe arsimit profesional, të ndërmjetësimit nga zyrat e punës, kanë një reflektim të drejtpërdrejtë në terrenin ekonomik dhe në dinamikën e punësimit.”

 

Qeveria thotë se me paketën fiskale që do të miratohet këtë verë, por edhe ajo që do të hyjë në fuqi në vitin e ardhshëm parashikohen lehtësira të mëtejshme fiskale, çka do të stimulojnë një terren edhe më të favorshëm ekonomik, që do të gjenerojë edhe më shumë vende pune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *