Një raport i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Shqipëri mbi politikat familjare dhe gjinore, tregon se gratë shpenzojnë 88% të kohës kundrejt 16% të burrave për kujdesin e papaguar, pra qëndrimin dhe kujdesin në shtëpi për familjen dhe shtëpinë.

Përfundimet e këtij raporti, vunë në dukje se 32% e grave nga mosha 15 deri në 19 vjeç nuk ndjekin shkollën, ose nuk punojnë për shkak të përgjegjësive të tyre familjare.

Studimet e realizuara  theksuan se shumica e grave në Shqipëri përballen me një vendim kritik midis zgjedhjes së karrierës ose krijimit të një familjeje.

Analiza e Politikave të Përgjegjshme Gjinore për Familjen në Shqipëri evidentoi se marrja e këtij vendimi është ndikuar nga nga faktorë si përfitimet, mbështetja financiare, siguria ekonomike etj.

Për të përmirësuar këtë  hendek, UNFPA “skanoi” bizneset në Shqipëri që kishin prioritet në politikat e tyre të punësimit gratë dhe ofronin një mjedis miqësor për to.

UNFPA prezantoi rezultatet e kalimit në “sitë” të rreth 100 kompanive private, finalizuar me dorëzimin e listës finale me 9 kompani që zbatojnë Politika Familjare të Përgjegjshme Gjinore në mjedisin e punës ndaj personelit të tyre.

Të cilësuara si “Kompanitë Kampione”, bizneset e zgjedhura do të jenë partnerët kryesorë të UNFPA, duke sjellë ndryshime konkrete për mjedise pune më miqësore për familjen, me pritshmëritë se ky model do të ndiqet edhe nga kompani të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *