Numri i të rinjve që mbetën të papunë gjatë periudhës së pandemisë në vend u rrit ndjeshëm . Të dhënat e anketës tremujore të forcave të punës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020 tregojnë se numri i të punësuarve të moshës 15-29 vjeç ishte rreth  263 mijë, thënë ndryshe rreth 20 mijë të rinj të punësuar më pak në krahasim me tremujorin e parë.

Këta të rinj mbetën të papunë për shkak të shkurtimit të personelit në hotele, bare, restorante dhe fabrika. Nga 33 mijë persona që rezultojnë të kenë humbur punën vetëm në tremujorin e dytë, 61% e tyre ishin të rinj.

Ndërkohë  të dhënat e anketës tregojnë se 61% e të rinjve të kësaj grupmoshe janë  ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e kësaj kategorie 8.3 për qind klasifikohen si të papunë të dekurajuar, që kanë hequr dorë nga kërkimi i punës pasi nuk kanë gjetur një vend të disponueshëm.

Edhe të dhënat mbi tregun e punës të bëra publike nga INSTAT gjatë periudhës prill-qershor treguan se gati 19 mijë të rinj të së njëjtës grupmoshë u regjistruan si punëkërkues në zyrat e punës e thënë ndryshe 16% më shumë të rinj se tremujorin e dytë të vitit 2019. Ky ishte niveli më i lartë i punëkërkuesve të papunë që nga tremujori i fundit i vitit 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *