Subscribe

Në ditën e punëtoreve, 1 Maj, kryeministri Rama hoqi kostumin zyrtar dhe vizitoi Panairin e Punës.

 

Në një nga stendat Rama u përball edhe më një sfidë, lindur nga shprehja e tij: Punë ka, por nuk ka profesionistë.

 

Kryeministri pyeti në të gjitha stendat mbi ofertat për punë, por edhe mbi interesimin e qytetarëve. Oferta kishte edhe nga Bashkia Tiranë.

 

“Në sistemin e ri bashkë me Ministrinë e Arsimit hapëm 62 palestra. Do të thotë që do të kemi 62 sanitarë, do kemi edhe 62 administratorë tani që janë hapur deri në darkë për këto kurset sportive. Ka ecur goxha mirë, filluam tek Shkolla e Kuqe. Kemi 120 fëmijë që u regjistruan që në ditën e parë.”

 

Arsimimi profesional, për shefin e ekzekutivit është shtysa kryesore për punësimin. E për këtë rikujtoi nismën e qeverisë për asistencë ndaj të gjithë atyre që ndjekin kurset profesionale.

 

“Kemi një investim serioz këtë vit, duke financuar kurset e formimit profesional nga ata që dalin nga ndihma ekonomike apo ata që kanë nevojë për formim profesional me një pagë që është më e lartë se mesatarja e ndihmës ekonomike. Faktikisht në të gjitha ndërmarrjet e Shqipërisë ka vende pune. Ajo që është e rëndësishme është që të kuptohet se puna nuk vjen në shtëpi, puna nuk është vetëm punë shteti dhe se për ne është e domosdoshme që te ndajmë një herë e mirë ketë vijë, të funksionojmë si një forcë e madhe lëvizëse që shtyn drejt punësimit real në sektorin privat.”

 

Të gjithë duhet t’u drejtohen zyrave të punës e jo vetëm të kërkojnë llogari përmes rrjeteve sociale – thotë Rama.

 

“Jemi në një situatë ku çelja e vendeve të punës është reale, rritja e mundësive për punë është reale. Por duhet të luftojmë gje së bashku me një psikologji të rëndë të trashëguar se më mirë një punë shteti, ose pastaj në kafe me lekët e babit dhe të mamit edhe në Facebook duke i thënë kryeministrit: O legen na gjej punë”

 

Në panairin e punës u prezantuan rreth 80 kompani private dhe shtetërore, oferta e të cilave shkonte nga rrogat mesatare e deri tek ato të larta për profesione si bankier, rrobaqepës, menaxher turizmi, hidraulikë etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *