Subscribe

Reagimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu për dhunën e ushtruar ndaj 15-vjeçarit shkaktoi shumë polemika.

Ish-deputetja e PD, Orjola Pampuri dënoi Veliun për videon që publikoi këtë të premte.

Sipas saj, me këtë gjest, kreu i Policisë së Shtetit dhunoi dhe poshtëroi edhe një herë minorenin.

“Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqej çfarë bëj unë apo ti, atij i lind e drejta të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri. Ardi Veliu e bëri këtë në vendin ku duhet të ishim më të mbrojtur, në Parlamentin e Shqipërisë. Edhe sikur të mos e dinin se video që tregoi Ardi Veliu është skenë nga një shesh xhirimi i një filmi të njohur ku nëna e 15 vjeçarit ka marrë pjesë, është e neveritshme të shohësh sesi burra e gra deputete heshtin përpara një akti kaq të rëndë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.”

Duke e quajtur Ardi Veliun kriminel gjakftohtë, Pampuri kërkoi shkarkimin e tij të menjëhershëm.

“Për Partinë Demokratike, nuk ka asnjë habi për këtë akt prej krimineli gjakftohtë. Ky është i njëjti person që drejtoi dhunën kundër opozitës gjatë protestave qytetare. Dhe është, sërish, i njëjti kriminel gjakftohtë që urdhëroi hyrjen e policisë në teatër me automatikë, që e rrethoi atë me snajper dhe dhunoi gratë, vjazat, të rinjtë dhe opozitën që kërkonte ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të pronës publike nga vjedhja.  Ardi Veliu duhet të shkarkohet sot! Me sulmin e sajuar kundër një nëne kryefamiljare, që ka rritur e vetme 3 fëmijë, me justifikimin e dhunës policore kundër djalit të saj 15 vjeçar për shkak të prejardhjes familjare, ai është një klonim i rrezikshëm i sigurimsit dhe i hetuesit kriminel të diktaturës.”

Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, Veliu publikoi një video përmes së cilës tregon të ëmën e të miturit, teksa shihet me një armë zjarri në dorë.

Veliu shtoi se zgjodhi ta bëjë publike këtë video për të treguar shembullin dhe edukatën që e ëma i ka dhënë djalit.

Bëhet fjalë për 15-vjeçarin që u dhunua nga punonjësit e policisë tek Liqeni Artificial pse kishte thyer orarin e karantinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *