E shtunë, 26 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:10 Në vijim ora 14:10: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Paloka: Tahiri kanabizoi vendin me urdhër të Ramës

Partia Demokratike nuk ka asnjë dyshim, Saimir Tahiri është ende i lirë, pasi ka mbrojtjen personale të kryeministrit Edi Rama. Për nënkryetarin demokrat Edi Paloka, shefi i ekzekutivit ka kapur organin e akuzës dhe tërë sistemin e drejtësisë, ku qëllimi i vetëm nuk është thjesht mbrojtja e ish-ministrit të brendshëm, por i përfshirjes së tij në kanabizimin e vendit.

 

“Edi Rama ka kapur Prokurorinë dhe drejtësinë dhe siç kemi deklaruar ne që në fillim, PD, që në momentin e kapjes së prokurorit të përgjithshëm, i vetmi qëllim i Ramës ishte mbrojtja e Tahirit, dmth mbrojtja e vetes. Sepse nuk ka shqiptar dhe ndërkombëtar që të mos e besojë se Tahiri nuk bëri asgjë në kokën e vetë. Kanabizimi i Shqipërisë, futja e parave të drogës për të marrë pushtetin nuk ishte thjeshtë projekti i Tahirit. Projekti ishte i Ramës dhe u zbatua nga Tahiri dhe bandat e rilindjes. Për këtë arsye sot Tahiri vazhdon të jetë i lirë çuditërisht, ndërkohë që duhet të ishte prapa hekurave sepse ka garancinë e plotë të prokurorit të përgjithshëm Edvin Rama”.

 

Opozita kujton se ishte Rama i cili urdhëroi deputetët e tij të mos lejonin Prokurorinë të arrestonte Saimir Tahirin, duke bllokuar heqjen e mandatit të deputetit.

 

“Sot, 6 muaj pas kësaj kërkese të Prokurorisë të vetme ngjarje që lidhen me këtë çështje kanë qenë kapja e Orest Sotës me gati 900 mijë euro cash në makinë e tij dhe bashke me këto euro edhe 2 patentat e skafeve të Tahirit. Nëse e mbani mend, Tahiri i akuzuar nga Zagani dhe PD se ka në zotërim të tij edhe një skaf i cili gjithashtu është përdorur nga Habilajt si makina për trafik droge, e ka mohuar. Ashtu siç beri me makinën dhe siç vazhdon të bëjë edhe sot duke mashtruar këdo, kapja e patentave në makinën e Orest Sotës vërtetoi se këto akuza të PD ishin të drejta”.

 

Edi Paloka thotë se opozita do t’i shkojë deri në fund hetimit parlamentar, derisa të vërtetojë se strategjia e kanabizimit, trafikimit të drogës dhe blerja e zgjedhjeve me paratë e drogës nuk ishte thjeshtë lojë e Tahirit, por ishte një projekt që u ideua nga Edi Rama.

 

 

 

Më shumë video