Serbia dhe Kosova duhet t’i rikthehen dialogut për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura pezull. Përfaqësuesi i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka folur për rëndësinë e marrëveshjes mes dy vendeve që do të çojë në njohjen reciproke.

 

Duke i referuar paralajmërimit e qeverisë së Kosovës se do të paraqesin padi kundër Serbisë për gjenocid, Palmer tha se ne dialog ka gjithmonë shumë retorika të nxehta.

 

MATTHEW PALMER
PËRFAQËSUESI I POSAÇËM PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Kurti të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të dialogojnë për të gjitha këto çështje. Gjithmonë ka shumë retorika të nxehta në Ballkanin Perëndimor, dhe ato kane qenë sfondi i dialogut për një kohë të gjatë. Është e rëndësishme që palët të kthehen në dialog, të diskutojnë çështjet në tryezë, t’i zgjidhin ato dhe të shkojnë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila, në mënyrë optimale, do të bazohej në njohjen reciproke.

 

Zyrtari i larte amerikan theksoi se një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e domosdoshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

 

“Ne jemi në kontakt të rregullt me liderët politikë në Beograd dhe Prishtinë, ne ftojmë të dy palët të bisedojnë, ne punojmë për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut, dhe ne vazhdimisht dhe në të gjitha nivelet theksojmë vlerën e normalizimit të marrëdhënieve për Serbinë dhe Kosovën. Është një rrugë drejt një të ardhmeje evropiane që aspirojnë të dy vendet.”

 

Takimi i parë zyrtar mes dy udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohet në fund të qershorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *