Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë  duhet të përfundojë me njohjen reciproke. Ky konstatim vjen nga Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Methju Palmer i cili se bashku me të dërguarin special nga BE për dialogun, Miroslav Lajçak, vizituan ditët e fundit Prishtinën dhe Beogradin. Palmer nënvizoi se synimi i dy vendeve është anëtarësimi në bllokun evropian,dhe sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të realizohet pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

 

MATTHEW PALMER

NDIHMËS SEKRETAR AMERIKAN I SHTETIT

 

“Serbia dhe Kosova duhet  të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Por, si mund të jenë dy vendet anëtare të BE-së nëse nuk e njohin njëra-tjetrën?  Njohja reciproke do të hapte rrugën evropiane për të dyja vendet. Shtetet e Bashkuara e shohin njohjen e ndërsjellë si rrugën më të mirë për të arritur nje marrëveshje”

 

Por si do veprohet nëse nuk do të pranohet  njohja e pavarësisë së Kosovës nga pala serbe?

 

“Marrëveshja mund të jenë gjithçka për të cilën të dyja palët pajtohen. Qëllimi ynë është që të nxisim palët të ulen në tryezë dhe të paraqesin cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë. Ne nuk përcaktojmë agjendën, as nuk përcaktojmë rezultatin”

 

Prishtina dhe Beogradi,sipas zyrtarit amerikan,  janë të gatshëm për tu ulur në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur çështjet që kanë mbetur pezull.

 

“Unë me të dërguarin special të BE Miroslav Lajçak  biseduam me zyrtarët e  lartë në Beograd dhe në Prishtinë, dhe mund t’ju them se jemi afër për  një marrëveshje, në kuptimin që të dy palët janë të gatshme të angazhohen seriozisht në dialog.”

 

Me 22 qershor kryeministri i Kosovës dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel për të rifilluar procesin e dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *