Subscribe

Pallatet Hawai, banesat e para që u ngritën në Tiranë gjatë periudhës së tranzicionit, pak javë më parë ishin në një gjendje të degraduar, me fasada të rrënuara, ku lagështira ndihej thuajse në çdo apartament. Por, falë “Fondit të Komuniteteve” nismë e Bashkisë së Tiranës, sot këto pallate të Njësisë Administrative 5 kanë një pamje të re.

 

“E falenderoj shumë Ademin, një nga administratorët model që kemi në Tiranë, i cili  ka ndjekur nga afër transformimin, si dita me natën, të një prej lagjeve më të populluara e më problematike të qytetit. Pallati që kemi në sfond është ndërtuar në fillim të viteve ‘90, ndryshe njihen si Pallatet Haëai, të amortizuar prej kohësh, të ndërtuar pa cilësi. Sot, siç më thanë banorët, u duket sikur kanë hyrë në shtëpi të reja. Falë Fondit të Komuniteteve pallati u vesh me sistemin kapotë, ka termoizolim, dhe çdo qindarkë e shpenzuar është bërë me transparencë me qytetarët.”

 

Sipas Veliajt ky lloj bashkëpunimi, ku gjysmën e fondit për rikonstruksionin e pallateve e ka dhënë Bashkia e Tiranës dhe gjysmën tjetër vetë banorët, është mënyra më e mirë për të bërë punë me cilësi.

 

 “Në dallim nga gjithologët që dëgjojmë çdo natë në televizor, që nuk prekin një lopatë me dorë, diferenca mes një administratori është që arrin ta bëjë komunitetin bashkë dhe në vend që ta kthejë në një komunitet qaramanësh, që ankohet, mobilizohen për t’u siguruar që gjërat të funksionojnë. Në këtë rast, mobilizimi ishte për të përfituar nga fondi i bashkisë, që financon gjysmën e çdo investimi në pallat, për t’u siguruar që edhe komuniteti ka dhënë diçka, të cilën do ta ruajë.”

 

Kryebashkiaku i Tiranës ftoi edhe qytetarët e tjerë të zgjedhin administratorët e pallateve, si e vetmja mënyrë për të bërë mundur përfitimin nga Fondi i Komuniteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *