Gjatë vizitës në qarkun Kukës, ministri i Brendshëm ishte në shkollën e mesme “Qazim Shehu”, në Shtiqën ku deklaroi se siguria e fëmijëve dhe nxënësve në shkolla do të jetë prioritet i punës e në krye të saj, lufta kundër narkotikëve.
“Kemi shumë punë për të bërë. Nën drejtimin e Prefektit do të marrë jetë Task Forca që cakton perimetrin e sigurisë, me prezencë të shtuar të Policisë për të garantuar sigurinë. Problematika e lëndëve narkotike në shkolla nuk është vetëm në qendër të Tiranës, është një sfidë që ne do ta fitojmë në gjithë territorin e vendit”, tha Balla, referuar operacionit të fundit policor “Tempulli”, ku 23 grupe kriminale dhe një numër i lartë personash u proceduan.
Ai kërkoi nga të gjitha institucionet të kenë një angazhim të madh, për të krijuar një klime tjetër, të papërshtatshme për kultivimin e paligjshmërisë dhe duke iu gjendur në krah nxënësve.
“Jam këtu me Prefektin dhe drejtues vendorë, AKU, ISHP, Bashkinë e Kukësit, me të cilët duam që të zërë vend një qasje e re, sa i përket sigurisë në shkolla. Prindërit, gjyshërit teksa i sjellin fëmijët në shkollë na i besojnë ne, janë në besën tonë. Mësuesit, drejtuesit e shkollës, Oficeri i Sigurisë, Shefi i Komisariatit, apo Drejtori i Policisë, unë gjithashtu, na duhet të bëjmë detyrën që na ngarkon populli, t’i garantojmë çdo fëmije siguri. Fëmija teksa vjen për në shkollë mund të bjerë pre e keqbërësve. Fenomen mbetet shpërndarja e lëndëve narkotike. Edhe këtu në Kukës ka raste të personave të kapur nga gracka e Policisë për shpërndarje të drogës në shkolla, por ka dhe fenomene si bullizmi, etj.”, nënvizoi ministri Balla.