Subscribe

Industria minerare në Shqipëri po rrezikon falimentin.Çmimet e mineraleve në bursën ndërkombëtare kanë rënë mesatarisht me 40%, çka ka bërë që një pjesë e investitorëve që prodhojnë e shesin produktet e nëntokës në Shqipëri të mbyllin minierat, e për të tjerët të ulet fitimi dhe të shihet një plan rezervë për të shkurtuar vendet e punës. Aktualisht në Shqipëri ky sektor ka mbi 20 mijë të punësuar. Ministria e Energjisë është e vendosur që të nisë planin për të shpëtuar këtë sektor. Me një faturë e cila do të rëndojë 4 milion euro në vit mbi buxhetin e shtetit, është vendosur që të përgjysmohet përqindja e rentës minerare që ky sektor paguan, e po ashtu do të hiqen nga renta shpenzimet e transportit dhe llogaritja e sasisë së mineralit të lagur, i cili nuk tregon peshën reale të tij. Po ashtu vlera e garancisë që investitorët lënë në shtet për të kryer investimin, nuk do të jetë më 10% e vitit më të madh të investimit, por përqindja reale e investimit që kryhet.
Një tjetër problem që i ka dalë Ministrisë së Energjisë është përdorimi i lëndës drusore në miniera, e tashmë me moratoriumin kombëtar që ndalon prerjen e pyjeve, një pjesë e tyre nuk mund të punojnë më. Ministria e Energjisë thotë se është në negociata me atë të financave në mënyrë që kjo paketë shpëtimi të hyjë në fuqi brenda 6 muajve të parë të vitit. Kjo masë mund të sjellë një ndryshim të detyruar në ligjin e buxhetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *