Paketa antishpifje/ Duka: Mazhoranca do të çensurojë mediat, Ilir Zela nuk u bë “rilindas”

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka e ka cilësuar paketën antishpifje si një goditje ndaj fjalës së lirtë në vend.
Në një postim në Facebook, Duka shprehet se maxhoranca po këmbëngul me kokëfortësi në idenë e saj për të censuruar median on-line.
Sipas Dukës, edhe dorëheqja e Ilir Zelës ka qenë për shkak të kësaj pakete antishpifje.
“Në këto orë të rrëmujshme, kur vëmendja është te tërmeti dhe pasojat e tij, parlamenti monopartiak po përpiqet të kalojë një paketë ligjore me të cilën cënohet rëndë liria e mediave online. Kjo tentativë për të vrarë hapësirën e lirë që i shpëton kontrollit të mazhorancës, është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve vendas dhe të huaja, si dhe institucionet ndërkombëtare në vend. Megjithatë, vullneti për të censurar mendimin e lirë vijon me kokfortësi gomareske, që mesa duket ka qenë edhe arsyeja e largimit të Ilir Zelës nga drejtimi i AKEP, një nga institucionet që do të shërbejnë si këmbëza e pistoletës së pushtetit për të ekzekutuar mediat e lira, nëse ky projektligj kalon. Nuk ka kurrfarë nevoje që unë të bëj këtu biografinë e një prej kontributorëve më të mëdhenj të PS-së, por ajo që dëshiroj të shpreh, është respekti maksimal për vlerat që ai mishëron dhe ndjenjat e tij të larta për interesin publik, të cilin e ka shërbyer me mendësinë e një burrështetasi dhe jo atë të një partiaku. Ilir Zela nuk u bë kurrë ‘rilindas’, prandaj ka forcën dhe përgjegjësinë qytetare për të dhënë dorëheqjen për të mos u bërë bashkëfajtor në një aventurë politike që kërcënon lirinë e fjalës dhe demokracinë.”




