Subscribe

 

Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës është pajisur me bazë të re materiale, si uniforma, fikëse zjarri dhe mjete ndihmëse, të cilat do të lehtësojnë menaxhimin e situatave emergjente.

 

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e dhënë nga qeveria turke për përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e këtij shërbimi.

 

“Nuk kemi mjaftueshëm zjarrfikës që t’i shkojë çdo të moshuari te dera. Do të na duhet një ushtri me 10 mijë zjarrfikës që të trokasin në çdo derë. Kjo do të thotë se na duhet ndihma e publikut. Çdo qytetar që e di që ka një fqinj të sëmurë, që është i pamundur, i braktisur, duhet të ndihmojë. Dhe siç kemi pasur përkrahjen e qytetarëve gjatë këtyre muajve, do të vazhdojmë ta kërkojmë edhe në muajt në vazhdim për t’u siguruar që kemi sot një situatë ku sinjalistika na vjen nga çdo shkallë pallati, nga çdo administrator, dhe nga çdo komshi dhe fqinj i mirë.”

 

Kryebashkiaku u shpreh se falë përmirësimit të pajisjeve dhe të kushteve të punës, shërbimi zjarrfikës do ta ketë shumë herë më të lehtë për të përballuar me sukses stinën e verës për menaxhimin e zjarreve.

 

“Shpresoj që e kemi bërë punën pak më të lehtë falë kësaj ndihme dhe do të thosha që me mjetet e reja do kemi mundësi që, siç përballuam dimrin me sukses, të përballojmë me sukses edhe stinën e verës. Kemi sot bombola oksigjeni, kemi pompa krahu, sidomos për zonat pyjore ku kemi pasur shumicën e zjarreve gjatë stinës së verës”

Krahas pajisjeve të reja, Bashkia e Tiranës do të rehabilitojë disa prej stacioneve të shërbimit zjarrfikës në zona të ndryshme të qytetit, me qëllim shkurtimin e kohës së përgjigjes ndaj qytetarëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *